AKTUALITET, 29 Mars 2022, 00:00

"Soros, figurë historike që ka ndihmuar shqiptarët"/ Veton Surroi: Jam mik i George Soros, kam respekt për të!

"Soros, figurë historike që ka ndihmuar shqiptarët"/

Analisti Veton Surroi deklaroi në emisionin 'Çim Peka Live', se është një mik i multimiliarderit George Soros por ka kohë që nuk ka kontaktuar me të.

Surroi tha se ka shumë respekt për George Soros dhe e cilësoi atë një figurë historike, që ka ndihmuar shqiptarët.

"Jam mik i George Soros. Mendoj se është një prej figurave historike të procesit nga përpara zhbërjes së murit të Berlinit e deri më sot.

Fatkeqësisht ka kohë që s'kemi pasur kontakt, por kam respekt shumë të madh, posaçërisht për ndihmën jo proporcionale që i ka dhënë shqiptarëve gjithandej që nga pjesa që ka të bëjë me shkollimin në Shqipëri e deri te lufta e Kosovës."-tha Surroi.

Kujtojmë se prej kohësh në Shqipëri, figura e George Soros ka prodhuar mjaft polemika. Sali Berisha e akuzon Soros se ka lobuar në DASH, për shpalljen e tij non-grata. Po kështu, Presidenti Ilir Meta, ka folur për "deep state" dhe influencën e Soros në Shqipëri, por pa dhënë prova konkrete për këto deklarata "bombastike".