AKTUALITET, 17 Qershor 2022, 14:39

“S’mund të eksportojmë problemet tona në BE”/ Berisha: SHBA duhet të jetë e pranishme në rajon

“S’mund të eksportojmë problemet tona në BE”/

Ish-kryeministri Sali Berisha ishte i ftuar në forumin e 9-të global në Azerbaixhan, ku ndër të tjera foli për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se Shqipëria duhet t’i zgjidhë vetë problematikat përpara se të hyjë në BE.

Sipas ish-kryeministrit, vendi ynë nuk mund t’i eksportojë problemet e saj në BE dhe vendet e tjera anëtare nuk mund të merren me çështjet tona.

Berisha vuri theksin tek prania e SHBA-së në rajon për të imponuar marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Projekte të tilla po hapte kutinë e pandorës për rajonin. Një situatë e ngjashme paraqitet në rajonin tonë kudo. Fatkeqësisht të jem i sinqertë, kjo gjeti lobimin e fortë të multimiliarderit George Soros. Në atë kohë kur projekti erdhi në tryezën time, kishte disa qarqe që e mbështesnin në Bruksel. Kur dështoi projekti, nisi një projekt i ri. Kishim procesin e Berlinit, ishte shumë i mirë. Ishte një ombrellë për të mos e bojkotuar, por për të na mbajtur në rrugën drejt anëtarësimit.

Më pas nisi 'Minishengeni Ballkanik 3'. Në vend që të ishin gjashtë vende bashkëpunuese, u kthye në një aleancë 3-palëshe. SHBA duhet të jenë të rëndësishme këtu sëbashku me europianët. Duhet të ketë një marrëveshje gjysmë të imponuar. Nëse shohim se të gjitha marrëveshjet e 150 viteve të fundit në Ballkan, asnjëra prej tyre nuk është gjysmë e imponuar. Do të ishte e dobishme sepse ne nuk i kërkojmë shumë BE-së. Ne nuk mund t’i eksportojmë problemet tona në BE. Vendet e tjera nuk kanë arsye pse të trajtojnë problematikat tona” – tha Berisha.