AKTUALITET, 18 Korrik 2022, 13:40

Skema e inceneratorëve/ Kryemadhi: SPAK nuk jep informacion për statusin e Engjëll Agaçit dhe Armando Subashit! Të moshuarit po përdoren…

Skema e inceneratorëve/ Kryemadhi: SPAK nuk jep informacion për

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi deklaroi në konferencë për mediat, se ka shprehur habi pse SPAK nuk ka asnjë informacion zyrtar për kryetarin e Bashkisë së Fierit Armando Subashi i kallëzuar për aferën e Inceneratorëve.

Ajo tha se Subashi është zyrtari që ka rolin kyç për shpronësimin e paligjshëm të tokës ku është ndërtuar Inceneratori i Fierit.

“Duke shprehur edhe habinë, pse përshembull nuk ka nga organi akuzës asnjë njoftim zyrtar apo informacion për personin e kallzuar zotin Engjëll Agaçi, Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë Shqiptare, i cili ka një rol kyç në miratimin e paligjshëm të financimit me VKM të Kontratës Koncesionare të Inceneratorit të Elbasanit, duke vepruar në kundërshtim me njoftimin me shkrim që Agjensia Shtetërore APP i kishte bërë, duke e përcaktuar procedurën e ndjekur të paligjshme.

Kam shprehur habi, pse nuk ka asnjë njoftim zyrtar apo informacion për personin e kallëzuar Z.ARMANDO SUBASHI, zyrtar i cili ka një rol kyç në pagesën për shpronësimin e paligjshëm të tokës ku është ndërtuar inceneratori i Fierit, siç edhe vetë SPAK e ka konstatuar kur ka marrë masën e sigurisë ndaj personave nën hetim LEFTER KOKA, ALQI BLLAKO dhe PËLLUMB ABESHI. Pra, Z. SUBASHI ka sjellë dëmin ekonomik konkret në buxhetin e shtetit, me pagesën e kryer ndaj subjekteve që janë shpronësuar.

Duke mos harruar edhe faktin se është pikërisht Z.SUBASHI personi që ka vënë në dijeni Ministrinë e Mjedisit për kualifikimin e tokës (tokë truall apo arë) ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit, fakt ky, i cili provon se Z. Subashi kishte dijeni për shkeljen”, u shpreh Kryemadhi.

Ajo i kërkoi SPAK të hetojë edhe Inceneratorin e Tiraanës ndërsa shtoi se shqiptarët janë të shokuar si gra të moshuara janë përdorur për këto skema mafioze.

“Dhe, habia e radhës ka qenë pse nuk ka asnjë njoftim zyrtar informacion lidhur me hetimet apo subjektet e kallëzuara për Inceneratorin e Qarkut Tiranë.  Në fakt deri më sot, në Tiranë ka vetëm një pikë grumbullimi të mbetjeve urbane, dhe nuk incenerohet asnjë kilogram mbetje. 

I kam risjellë në vëmendje Prokurorisë Speciale se vetëm me një firmë individuale, Z. Erion Veliaj në komunikimin me Ministrinë e Mjedisit, ka ndryshuar fatin e Inceneratorit të Qarkut të Tiranës, duke dhënë dakordësinë pa Vendim të Këshillit Bashkiak për as më shumë dhe as më pak por plot 128 milionë euro.

Në fakt habia e madhe nuk qëndron vetëm tek unë si kallëzuese, por tek çdo qytetar shqiptar që sot paguan për koncesione që nuk kryejne shërbimin për të cilin janë dhënë. Të gjithë shqiptarët janë shokuar kur kanë parë sesi gra të moshuara, të pa mbrojtura, janë përdorur babëzisht si instrumente në këto skema mafioze për të vjedhur buxhetin e shtetit përmes mbetjeve urbane”, deklaroi ajo.