AKTUALITET, 20 Gusht 2022, 14:18

Si bashkëpunoi Agim Gjini me Nuredin Dumanin dhe Talo Çelën në grabitjen me armë në vitin 2013. Krimet që rëndojnë mbi “topallin”

Si bashkëpunoi Agim Gjini me Nuredin Dumanin dhe Talo Çelën

Agim Gjini, 49 vjeç, ka përfunduar në prangat e Policisë së Durrësit, ndërsa dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor i Talo Çelës dhe Nuredin Dumanit në disa ngjarje kriminale.

Mësohet se 49- vjecari është “tradhtuar” nga telefonatat me të afërmit e tij, me të cilët komunikonte.

Edhe pse ai fliste me kode me të afërmit dhe s’u tregonte atyre vendndodhjen, Policia ka mundur ta zbulojë vendin ku fshihej nëpërmjet valëve telefonike. Ai është zënë në befasi dhe është arrestuar nga skuadra operacionale.

Ndaj Agim Gjinit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprat penale “Vjedhja me dhune” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Golden bullet”.

KUSH ËSHTË AGIM GJINI?!

Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, Agim Gjini ka bashkëpunuar me atë dhe Talo Celën në grabitjen me armë në vitin 2013.

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka deklaruar se shtetasi Dorjan Shkoza u kishte dhënë informacion se një person, i identifikuar si Astrit Ademi, mbante shumë para në një çantë gri.

Dumani thotë se ai, Talo Çela, Agim Gjini dhe një tjetër person kanë thyer xhamin e makinës, kanë marrë rreth 20 mijë euro dhe janë larguar.

“Grabitja e radhës ishte po në Shijak dhe informacionin për personin e kishte shtetasi Dorjan Shkoza. Ngjarja ka ndodhur po në vitin 2013. Në këtë grabitje kam qenë unë, Talo Çela, Agim Gjini, i cili ishte topall nga Durrësi dhe personi me pseudonimin ‘…………’.

Gimi ka qenë shofer me një ‘Benz 2500’ i vjedhur. Makinat e vjedhura në atë kohë i linim te garazhi i Gim Gjinit. Kontrollova dhe bagazhin dhe aty gjeta rreth 18-20.000 euro, të cilat ishin të vendosura në gomën rezervë. Morëm lekët dhe ikëm. Kemi shkuar te garazhi i Gim Gjinit dhe kemi ndarë lekët.

Me sa mbaj mend, kemi marrë rreth 4500 euro”, thuhet në dosjen “Dumani”.

Nga hetimi rezulton se më datë 31.05.2013 në fshatin Marikaj, Vorë, në pikën e grumbullimit të mjeteve të dala jashtë përdorimit në pronësi të shtetasit Gëzim Mamiu, tre persona të maskuar dhe të armatosur i kanë vjedhur shtetasit Astrit Ademi që kishte shkuar si klient me mjetin e tij, AA887CL, shumën prej 7000 euro dhe një aparat celular të markës “Samsung” me dy karta që i kanë gjetur në xhep si dhe shumën prej 9000 euro, 760.000lek që i kanë marrë në bagazhin e mjetit.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar brenda kësaj pike, automjeti “Mercedez Benz”, i cili është në pronësi të shtetasit Astrit Ademi, banor i Shijakut, Durrës./Panorama