TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Shtyhet sërish gjyqi ndaj deputetit të PD-së Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi për të ashtuquajturën çështjen “Babale”.
Në një njoftim të shpërndarë sot nga gjykata bëhet e ditur se gjyqi ndaj Ervin Salianjit është shtyrë pêrsëri. Në të gjitha seancat i vetmi që nuk ka munguar ka qënë deputeti Salianji dhe mbrojtësi i tij.
"Përshëndetje! Siç jeni vënë në dijeni, sot është planifikuar seanca gjyqësore e çështjes penale ndaj të pandehurve Ervin Salianji etj. Ju komunikojmë se seanca e sotme nuk do të zhvillohet, për arsye se mbrojtësi i të pandehurit Jetmir Olldashi ka depozituar pranë sekretarise se gjykatës kërkesë për shtyrje seance, bashkëlidhur raportin mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë, si dhe trupi gjykues nuk mund të formohet për shkak të mungesës së një prej anëtarëve. Mbetet në vlerësimin Tuaj pjesëmarrja në këtë seancë"-njoftoi gjykata.
Ervin Salianji, deputet i Partisë Demokratike, u dënua në dhjetor 2019 me një vit burg nga Gjykata e Tiranës për dosjen e njohur “Babale”. Mbi ligjvënësin demokrat rëndon akuza e "kallëzimit të rremë".
Sipas gjykatës ai ka krijuar prova me qëllim implikimin e vëllait të ish-ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafaj në një çështje trafiku droge në Vlorë.
Gjykata në vendimin e 18 dhjetorit 2019 nuk e pranoi kërkesën e prokurorisë që dënimi ndaj Salianjit të konvertohej në shërbim prove dhe vendosi ta dënojë me burg. Gjithashtu gjykata dënoi me 3 vite e 6 muaj burg Albert Veliun, personin kryesor në audiopërgjimin e bërë publik nga PD.
Në këtë material, sipas PD-së, Veliu, i njohur ndryshe si Babalja, flet me Agron Xhafajn për trafikimin e një sasie kanabisi në Vlorë. Me dy vite burg u dënua Fredi Alizoti person i cili, sipas prokurorisë, bëri zërin e Agron Xhafajt në audiopërgjimin e PD-së. Me 6 muaj burg u dënua gazetari Jetmir Olldashi, dënim të cilin gjyqtari Artan Gjermeni vendosi t’ja konvertojë në 100 orë punë në shërbim të publikut.
Vendimi u cilësua si politik nga Ervin Salianji i cili hodhi akuza mbi gjyqtarin Gjermeni, duke e cilësuar atë anëtar të "Bandës së Lushnjes". Salianji tha se ky vendim e bën më të motivuar për të thënë të vërtetën dhe nuk ka ‘llum apo llucë që e ndalon’. Salianji dhe personat e tjerë e apeluan këtë vendim në Gjykatën e Apelit, por seanca u shty sot për të tretën herë.