AKTUALITET, 17 Nëntor 2023, 19:08

Shtohen lindjet para kohe, bien fatalitetet, 1 në 10 bebe prematurë

Shtohen lindjet para kohe, bien fatalitetet, 1 në 10 bebe prematurë

Klati është një ndër bebet më luftarakë, i cili 14 muaj më parë zgjodhi të vijë në jetë përpara kohe, kur ishte vetëm 28 javësh. Ai kishte një peshë të vogël që e detyroi të qëndrojë disa kohë në inkubator, por kishte dhe një forcë të madhe për t’u bërë sot një djalë energjik. “Klati lindi vetëm 1050 gram po ishte një mrekulli e vërtetë, faleminderit stafit, Zotit dhe vetë atij që na zgjodhi ne si prindërit e tij,” – u shpreh Romina Muka,  mami i Klatit.

Sot kur gjithçka ka kaluar, mamaja e Klatit rrëfen sfidën e çdo dite kur ajo gjendej në shtëpi dhe i biri në spital.

“Vija me frikën ça do më thonë sot, ça ka ndodhur, ndonjëherë s’më zinte gjumi, vija dhe natën. Stafi ishte shumë i mirë, ato janë engjëjt e Klatit,” – u shpreh Romina. Por Klati nuk është fëmija i vetëm që ka ardhur në jetë para kohe. Studimet tregojnë se 1 në 10 bebe lindin prematurë. Drejtoresha e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, thotë se numri i bebeve po vjen në rritje, por pozitiv është fakti se mbijetesa e tyre është shumë e lartë.

E pranishme në aktivitetin e organizuar nga materniteti në kuadër të ditës botërore të prematuritetit ishte dhe ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu e cila falënderoi mjekët për punën e bërë dhe premtoi se investimet nuk do të ndalen edhe në vitin 2024. Për të nxitur edukimin në vazhdim të mjekëve, Koçiu vuri në dukje se do të ketë mbështetje financiare të vazhdueshme, ndërsa siguroi se rritja e pagave për bluzat e bardha do të vijojë edhe në vitin pasardhës.