AKTUALITET, 4 Janar 2023, 08:50

Shfaqja e variantit ‘XBB’ të koronavirusit, epidemiologu tregon si është situata në Shqipëri

Shfaqja e variantit ‘XBB’ të koronavirusit, epidemiologu tregon

Javët e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është vënë re një rritje graduale e rasteve dhe shtrimeve në spital për shkak të koronavirusit.

Ekspertët pohojnë prezencën e virusit XBB.1.5. Rastet ditore javët e fundit të dhjetorit u rritën nga 4% në 41%.

Virologët dhe epidemiologët thonë se kjo nënlinje e Omicron ka veçori që i jep asaj potencialin për të nxitur një rritje të re të rasteve të Covid-19 në SHBA, megjithëse është ende e paqartë se sa e madhe do të jetë kjo valë dhe nëse mund të dërgojë shumë më tepër njerëz në spital.

Raste me këtë variant të ri janë identifikuar edhe në Britaninë e Madhe dhe në disa shtete aziatike.

Epidemiologu Rexhep Muja thekson për Euronews Albania se aktualisht nuk ka prezencë të variantit të ri në vendin tonë, por po mbahen në vëzhgim qytetarët me histori udhëtimi gjatë ditëve të fundit.

“Konstatohen raste sporadike. Pozitiviteti haset kryesisht tek të pavaksinuarit, por edhe tek të vaksinuarit me imunitet të dobësuar ( tek shtetas që kane kaluar mbi 9 muaj nga data e aplikimit të vaksinës së fundit.)

Vetëm shtetas me histori udhëtimi mbahen në surveiancë. Nëse këto paraqesin simptoma, merren mostra për diagnozë të varianteve të reja Covid import nga shtete të ndryshme.

Mbahen në surveiancë edhe raste të dyshuara për virus gripi. Nuk ka shtim të testimeve. Ju bëj thirrje qytetarëve të kryejnë vaksinimin. Aktualisht në spitalin Infektiv po marrin trajtim 5 pacientë të infektuar me coronavirus”, tha epidemiologu për Euronews.