TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka bërë rekurs ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sekuestron e telefonit dhe kërkon kthimin e tij. Më datë 4 janar, Apeli i GJKKO rrëzoi kërkesën e Kryemadhit për t’i kthyer telefonin, kështu deputetja i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë. Kërkesa e Kryemadhit për t’ja kthyer celularin, u hodh poshtë nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, që e konsideroi përpjekjen gjyqësore të deputetes të pabazuar në ligj dhe në prova.
Telefoni i Kryemadhit është sekuestruar në kuadër të hetimeve të SPAK për lobimin e LSI-së në SHBA. Në lidhje me hetimet për lobimin, më 21 korrik të vitit të kaluar, ish-kryetari i LSI-së, sot Partia e Lirisë, Petrit Vasili, u thirr nga SPAK, ndërsa në prill të 2023 ishte thirrur edhe Endrit Braimllari, ish-deputet i LSI-së.
Hetimet e SPAK nisën për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh, pa emër personi të dyshuar, pas kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri, që akuzoi partinë e drejtuar asokohe nga Ilir Meta, se ka paguar për lobimin në SHBA, përfshirë vizitat në SHBA edhe një foto me ish-presidentin republikan Donald Trump.
Nga ana tjetër, Kryemadhi, disa muaj më parë është pyetur nga gazetarët se për cilën çështje i është sekuestruar celulari. Ajo tha se ka të bëjë me inceneratorët.
“Asnjë pronë, as e imja as e familjarëve të mi nuk është sekuestruar. Çdo gjë tjetër që do flas ka të bëjë me inceneratorin. Kanë lidhje vetëm me inceneratorin. Nuk është sekuestruar asnjë gjë e familjarëve të mi. Celulari, send që ka lidhje me kallëzimet e mia.
Mos u shqetësoni, Monika Kryemadhi nuk ka gjë për të fshehur. Libër i hapur është Monika Kryemadhi për ju. Madje më e hapur seç duhet. Lojën politike dhe strategjinë që përdor unë për të ardhur këtu, është një mekanizëm i fshehtë dhe stil që e mëson gjatë rrugës”, ka deklaruar Kryemadhi.