AKTUALITET, 18 Shtator 2023, 23:19

Sejamini: Shqipëria e para në botë për përdorues kokaine, droga është aktiviteti kryesor ekonomik, paratë pastrohen në mes të Tiranës

Sejamini: Shqipëria e para në botë për përdorues

Analisti Neritan Sejamini deklaroi të dhënat më të fundit për përdoruesit e drogës në Shqipëri dhe sipas OKB-së, vendi ynë, bashkë me Australinë janë në vend të parë për përdoruesit e kokainës.

Sejamini tregoi në emisionin “Të Paekspozuarit” edhe shifrat e tjera të OKB-së dhe faktin se të arrestuarit me nënshtetësi shqiptare, janë në vendin e parë në botë, në raport me popullsinë , duke lënë pas vende të mëdha si Brazili, Kolumbia, apo Nigeria.

Sejamini tha se Shqipëria është kthyer në qendër kryesore e trafikut të drogave në Evropë dhe se droga është fitimprurëse dhe është bërë aktiviteti kryesor ekonomik në Shqipëri. 

“Në vitin 2019 ka arritur në 5.9% të popullsisë 15-64 vjeç që afërsisht i bie rreth 90 mijë përdorues të kokainës, sepse popullsia në këtyë grupmoshë është diku te 1.8 milionë banorë.

Pra jemi në vend të parë në botë, bashkë me Australinë. Janë të dhëna që duhen marrë me rezervë, janë të përafërta. 

Në vitet 2018-2020 persona me nënshtetësi shqiptare të arrestuar bashkë me ngarkesat e drogës në botë kanë qenë diku te 266, në vend të parë në botë për nënshtetësinë. Shqipëria ka rreth 4.3 milionë shqiptarë nëpër botë. Brazilianë në vend të dytë me 257 të arrestuar kur ai shtet ka 215 milionë banorë, kolumbianët në vend të tretë me 168 të arrestuar për 52 milionë banorë dhe prodhues i parë i kokainës në botë dhe Nigeria 157 të arrestuar që ka 214 milionë banorë.

Këto janë shifra të INTERPOL dhe OKB-së për të kuptuar se kur vjen puna te droga, shifrat për shqiptarët e arrestuar janë përtej imagjinatës sepse janë në vend të parë për shumë tregues.

Droga është fitimprurëse dhe është bërë aktiviteti kryesor ekonomik në Shqipëri. Ne po flasim për drogën që po shpërndahet, por sot kemi pastrimin e parave të drogës në mes të Tiranës dhe kjo lloj tolerance ndaj pastrimit të parave të drogës, kjo lloj lirie që kanë trafikantët e drogës në Shqipëri absolutisht që do ta shtrijë drogën në çdo qelizë të shoqërisë.

Nuk do të kemi strategji për drogën, nëse nuk shkojmë te thelbi që shqiptarët dhe Shqipëria janë sot qendra kryesore të shpërndarjes së drogës në të gjithë botën, rrugë kryesore e trafikut të drogës, qendër e shpërndarjes së kokainës për të gjithë Evropën. Kur paratë që vijnë në këtë vend nga droga dhe i gëzojnë ata që bëjnë drogë, pa diskutim që droga do të depërtojë në shoqëri. Shqipëria është bërë një vend që ka si ekonomi kryesore drogën dhe është bërë pikë kyçe në trafikun ndërkombëtar”-deklaroi Sejamini.