AKTUALITET, 18 Shtator 2023, 22:45

Shefi i Toksikologjisë: Kemi nevojë për më shumë shtretër për të trajtuar përdoruesit e drogës

Shefi i Toksikologjisë: Kemi nevojë për më shumë
Mjeku Andrin Tahiri

Shefi i Shërbimit Toksikologjik në QSUT, mjeku Andrin Tahiri, duke komentuar shifrat në rritje të përdoruesve të drogës u shpreh se nuk ka mungesa në staf edhe pse ata janë në shërbim të të gjithë vendit, por se ka mungesa në shtretër për pacientët që kërkojnë ndihmë. 

Duke folur në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV, mjeku Tahiri u shpreh se është shqetësues fakti se adoleshentët e sotëm e kanë kthyer në trend përdorimin e drogës.

“Ai që vjen dhe kërkon ndihmë mjekësore është ose i rritur dhe e kupton që ka hyrë në një rreth vicioz, ose për adoleshentët vijnë familjarët, që shohin se diçka nuk shkon në sjelljet e fëmijës dhe fillojnë e mungojnë gjërat rreth e për qark, sepse ka buxhet. Një minoren nuk ka buxhet që të mbyllë shpenzimet e veta.

Ne jemi një shërbim unik kombëtar, pra mbajmë të gjithë Shqipërinë dhe nuk është gjë e vogël.

Burimet njerëzore janë, staf ka, por kemi nevojë për më shumë shtretër, që të japim asistencë spitalore.

Si mjek mua me shqetëson realiteti i sotëm i adoleshentëve që përdorimin e drogës kanë filluar ta kthejnë në një trend të tyrin”-tha Tahiri.