AKTUALITET, 28 Tetor 2024, 22:51

Sejamini: Bashkia e Tiranës është e mbaruar, administrata një makineri korruptive që i ka shërbyer PS-së për vota

Sejamini: Bashkia e Tiranës është e mbaruar, administrata

Analisti Neritan Sejamini foli në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN Tv, për Bashkinë e Tiranës, pas shkarkimit nga Veliaj të të gjithë drejtorëve. Ai tha se administrata e Bashkisë nuk bën asgjë për qytetarët, por vetëm ka shërbyer si "makineri korruptive" për të mbledhur vota për PS-në

“Kur ndodhi kjo e drejtorëve të 5D, thashë që bashkia duhet shkrirë. Tani bashkia po shkrihet, por jo si një proces transparent. Bashkia e Tiranës është e mbaruar, që nuk bën asgjë, po të shikosh plehrat, rrugët, ujin e pijshëm, gjelbërimin, një bashki që po punon vetëm për të menaxhuar problemet me drejtësinë. Kjo administratë është e paaftë për t’u shërbyer qytetarëve.

Nuk e kuptoj se si nuk ka asnjë institucion tjetër më të lartë që ta hetojë se si janë marrë në punë ata njerëz që u korruptuan, si janë marrë ata që i zëvendësuan, si janë procedurat e rekrutimit, promovimit, procedurat e shkarkimit në detyrë, sepse zoti Veliaj ka thënë kur ia arrestuan drejtorët se ka procedura shkarkimi. Befas paska procedura, çohet në mëngjes dhe i shkarkon të gjithë. Duhet parë se çfarë ndodh me administratën publike. Këta janë punonjës të shërbimit civil, kanë apo s’kanë status?

Bashkia është një institucion i privatizuar që nga shërbimi, ndërtimi dhe rekrutimi në shërbim të partisë. Administrata e bashkisë ka qenë makineri korruptive që i ka shërbyer PS-së. Gjithë struktura e bashkisë së Tiranës ka patur dy qëllime kryesore: pasurimin personal të njerëzve të bashkisë së Tiranës dhe mbledhjen e votave për Partinë Socialiste, ka qenë një makineri korruptive që i ka shërbyer me vota PS-së. Tani, çfarë do të bëjmë ne? Kjo është administratë shtetërore, këta njerëz janë të detyruar përpara ligjit dhe përpara nesh, presim t’i fusë në burg SPAK? A ka këtu institucione që i kontrollojnë? Këshilli Bashkiak a mund të krijojë komisione hetimore? A ka institucione të dhënies së llogarisë së brendshme?”- tha ndër të tjera Sejamini.