AKTUALITET, 7 Korrik 2025, 20:59

Mero Baze për partitë e reja: Nuk dështuan në zgjedhje, ky sistem, i vetmi që i favorizon!

Mero Baze për partitë e reja: Nuk dështuan në zgjedhje, ky

Mero Baze gjatë një interviste për Ylli Rakipin në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, foli për partitë e reja që arritën të hyjnë në Kuvendin e Shqipërisë, pas zgjedhjeve të 11 majit.

Sipas Bazes, rezultati i këtyre partive nuk mund të quhet një dështim, pasi ata do të përfaqësohen në Kuvend, por tha se duhet ta kishin studiuar më mirë sistemin për t’u përqëndruar në disa zona dhe jo në të gjithë Shqipërinë, ku votat shpërdorohen. Ai shtoi se sistemi aktual zgjedhor, është më i miri për partitë e reja dhe i favorizon ato, ndërkohë që me sistemet e tjera që ka patur Shqipëria, nuk do të kishin asnjë shans të përfaqësoheshin në Kuvend.

“Mendoj se partitë e reja nuk kanë dështuar në këto zgjedhje. Për herë të parë ne kemi një palë zgjedhje që na kanë hyrë tre parti të reja në Parlament. Partitë e reja, mund të ishin më efiçente, sikur ta studionin më mirë Kodin Elektoral. Fjala vjen, ky koalicion Lapaj-Shabani, që arritën të marrin 60 mijë vota, kanë harxhuar energji të kota për të marrë vota në të gjithë Shqipërinë, ndërkohë që janë të qartë se ç’është sistemi zgjedhor, përqëndrohu në Tiranë apo një qark që mendon se fiton. Siç ka bërë Qori, që e dinte se ishte në Tiranë dhe fitoi aty.

Agron Shehaj, u përqëndrua në Tiranë, mori dy deputetë. Tani ky u përqëndrua në shtatë vende, ashtu mund të marrësh edhe 200 mijë vota dhe të mos kesh asnjë deputet, ekziston mundësia teorike.  

Ky sistem ka 15 vjet, por ama vetëm ky sistem, që është shumë i keq për mua, i fut këto partitë e reja në Parlament, është shumë tolerant për partitë e reja. Sistemet e tjera që kemi parë në Shqipëri, mazhoritari i ‘91, këta nuk i qaste te dera. Sistemi mazhoritar i ‘92, proporcional kombëtar, e kishte pragun 4%, asnjë nga këto nuk ka marrë 4%, nuk do të futeshin në Parlament. Sistemi i ‘96 që vazhdoi deri në 2008, ishte mazhoritar me korrektim proporcional, me prag 3%, pra nuk hynin. Këto parti kanë hyrë në Parlament vetëm nga ky sistem, kështuqë nuk duhet ta shajnë. Këtë sistem duhet ta shajë Berisha, që e ka bërë për të zezën e vet dhe Rama që e kishte për të zezën e vet në fillim, por e ka kthyer në favor.

Madje për këtë kam patur një debat personal me Ilir Metën. Ai bëri grevë urie kundër këtij sistemi në 2008, natyrisht nuk e pyetën të mëdhenjtë dhe hyri në zgjedhje, pastaj kur erdhën zgjedhjet e 2013, tha sa budalla u tregova unë, ky është i vetmi sistem, nga i cili unë përfitoj, sepse kishte studiuar sistemin, fitoi, mori 15 deputetë. Falë këtij sistemi, ai u bë faktor i rëndësishëm në dy pushtete, pra ky sistem për partitë e vogla nuk është i keq. Duhet ta studionin më mirë sistemin dhe duhet të vazhdojnë, nuk do të fitosh që ditën e parë pushtetin”, tha ndër të tjera Baze.