AKTUALITET, 24 Maj 2026, 13:06

Rubio nderon trashëgiminë e Nënë Terezës, reagon Hoxha: Shpirti i saj vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën

Rubio nderon trashëgiminë e Nënë Terezës, reagon Hoxha:

Ministri Ferit Hoxha ka përshëndetur homazhet e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për trashëgiminë e Nënë Terezës.

Rubio zhvilloi një vizitë te Misionaret e Bamirësisë për të nderuar shenjtoren shqiptare.  Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka bërë homazhe për Nënë Terezën gjatë një vizite në qendrën e Misionaret e Bamirësisë.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Rubio vlerësoi figurën dhe trashëgiminë e humanistes me origjinë shqiptare, duke theksuar ndikimin e saj në shërbim të njerëzve në nevojë.

“Nënë Tereza la një trashëgimi të jashtëzakonshme dhembshurie dhe shërbimi. Pata nderin të vizitoja sot Misionaret e Bamirësisë për t’i bërë homazh trashëgimisë së saj dhe për të parë shembullin e gjallë të besimit katolik në veprim”, shkroi Marco Rubio

Në falënderimin e tij, Hoxha shprehet se shpirti i Nënë Terezës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën, ndërsa përmend edhe një prej shprehjeve të saj më të njohura.

“Faleminderit, Sekretar Rubio, për nderimin e Nënë Terezës, shenjtores me origjinë shqiptare, e cila la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme të dhembshurisë, përulësisë dhe shërbimit ndaj njerëzimit.

Jeta e jashtëzakonshme e Nënë Terezës dhe besimi i saj i thellë katolik mbeten një shembull i gjallë i përkushtimit ndaj atyre që kanë më shumë nevojë për kujdes, vëmendje dhe shpresë.

Shpirti i saj vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën përmes veprave të dashurisë, sakrificës dhe solidaritetit me më të varfrit dhe më të cenueshmit midis nesh.

Siç tha me urtësi: ‘Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe’,” shprehet Hoxha në X.