TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një 17-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në Tiranë, ndërsa policia ka arrestuar tre të rinj lidhur me ngjarjen, e cila ka ndodhur rreth orës 01:40 të 24 majit në rrugën “Berit Beker”, pranë kthesës së Kamzës.
Ngjarja ka ndodhur në banesën e 19-vjeçarit Rigers Sylaj. Ky i fundit dyshohet se, teksa po i tregonte një armë zjarri pistoletë shokut të tij dhe duke menduar se arma nuk kishte fishek në fole, e ka shkrepur aksidentalisht, duke plagosur 17-vjeçarin.
I mituri u transportua menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Nga të shtënat ai është plagosur në kokë.
Për rastin, përveç 19-vjeçarit, në pranga kanë rënë edhe 20-vjeçari me inicialet A. V. dhe 22-vjeçari me inicialet H. H., 22 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Njoftimi i plotë i policisë:
Plagosi aksidentalisht me armë zjarri shokun e tij, vihet në pranga 19-vjeçari.
Vihen në pranga edhe 2 shtetas të tjerë, shokë të tyre.
Sekuestrohet arma e zjarrit që 19-vjeçari e posedonte pa leje.
Rreth orës 01:40, pas njoftimit se në rrugën “Berit Beker” ishte plagosur me armë zjarri një 17-vjeçar, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, me qëllim sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se në banesën e shtetasit R. S., 19 vjeç, ky i fundit, duke i treguar armën e zjarrit pistoletë shokut të tij dhe duke menduar se nuk kishte fishek në fole, e ka shkrepur aksidentalisht dhe për pasojë është plagosur 17-vjeçari.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore:
-u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. S., 19 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”;
-u arrestuan shtetasit A. V., 20 vjeç dhe H. H., 22 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
17-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.