AKTUALITET, 7 Mars 2026, 18:46

Rrugët e reja po gërryejnë lumenjtë! 9 leje për inerte, 6 vetëm për Korridorin VIII

Rrugët e reja po gërryejnë lumenjtë! 9 leje për inerte,

Për ‘rrugë evropiane’ po sakrifikohen pasuritë kombëtare. Shfrytëzimi i lumenjve u rikthye edhe një herë në vëmendje pas bllokimit për 11 ditë të aksesit në Juglindje, prej shembjes së rrugës Librazhd–Prrenjas. Për shembjen e rrugës debatet u ndanë mes tre versioneve. Ai zyrtar është i një dukurie natyrore prej shirave. Një grup ekspertësh folën për presionin e ushtruar nga ndërtimi i aksit të ri Elbasan–Qafë Thanë, konkretisht loti 7, mbi rrugën e shembur, dhe një pjesë e madhe fajin e shohin te gërryerja e lumit Shkumbin.

Vetëm për të ndërtuar Korridorin VIII, nga Rrogozhina deri në Qafë Thanë, që është i ndarë në 15 lote, ku 9 prej tyre janë për zgjerimin e Elbasan–Qafë Thanë, janë dhënë 6 leje për gërryerjen e basenit ujor të Shkumbinit. Në të dhënat e vëna në dispozicion për Report TV nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore thuhet se vetëm në lumin Shkumbin (jo në basenin e tij, ku bëjnë pjesë lumenj të tjerë), ku janë aktive 4 leje për marrje inertesh, janë marrë deri më 28 shkurt rreth 996,000 metër kub inerte.

Në total, 4 kompanitë që shfrytëzojnë lumin Shkumbin për të ndërtuar lotet e Korridorit VIII, deri në mbylljen e kontratave të tyre (1 mbaron në korrik 2026, 1 në vitin 2027 dhe 2 në vitin 2028), do të mund të marrin nga lumi Shkumbin në total 1,343,005 metër kub inerte.

Dy lejet e tjera që janë në basenin e Shkumbinit po marrin inerte në lumin Gostimë dhe përroin Papërr, për zgjerimin e Elbasan–Qafë Thanë faza 2 dhe për ndërtimin e Elbasan–Papër faza 3. Deri në vitin 2028, kur mbarojnë këto dy leje, kompanitë mund të marrin 618,323 metër kub zhavorr. Gërryerja e lumenjve nuk është rast i izoluar vetëm në basenin e Shkumbinit, por edhe në lumenjtë e tjerë të Shqipërisë, madje edhe në ata të mbrojtur, siç është Vjosa.

Në lumin e vetëm të egër, të bërë pjesë e UNESCO-s, në basenin ujor të Vjosës është dhënë një leje për marrjen e 60 mijë metër kub inerte në lumin Dukat, me qëllim “Rikualifikim i vijës bregdetare Vlorë–Radhimë–Orikum, Faza 2 (Loti 3)”. Kontrata është dhënë në vitin 2024 për kompaninë FUSHA shpk dhe mbyllet në vitin 2027, por deri më tani, sipas AMBU, nuk ka nisur gërryerja. Një tjetër leje është dhënë në basenin ujor të Matit, konkretisht për lumin Fan, ku kompania Salillari, që ka koncesionin e autostradës Milot–Morinë, mund të marrë deri në fund të kësaj kontrate 30-vjeçare afro 603 mijë metër kub inerte në lum.

Leja e nëntë është për shfrytëzimin e inerteve lumore në shtratin e Përroit të Hurdhës për zgjerimin e superstradës Tiranë–Durrës (Faza I), me afat deri në vitin 2028, ku është aprovuar të merren 60 mijë metër kub inerte.

Për të 9 lejet që janë aktive, të dhëna për 7 kompani (Salillari, Fusha shpk, Alb Building, ANK, 4AM, 2T dhe Bami Holding) në 3 basene ujore, u jepet e drejta kompanive të marrin në total 2,684,522 metër kub inerte.

Por kush dhe si kontrollohen kompanitë nëse marrin vetëm sasitë e lejuara? Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përgjigjet duke thënë se i monitoron vazhdimisht subjektet që disponojnë leje për përdorim të burimeve ujore dhe për respektimin e kushteve, dhe se deri më tani “nuk janë evidentuar raste të problematikave lidhur me mosrespektimin e kushteve të lejes”.

“Subjektet dërgojnë informacion pranë ZABL-ve përkatëse mbi sasinë e materialeve inerte të shfrytëzuara dhe, në fund të çdo viti, realizohet rakordimi me ARRSH-në mbi sasitë e inerteve në preventivat përkatës”, thuhet në përgjigje. Më tej, AMBU-ja sqaron se në rastet e konstatimit të shkeljeve, njoftohet zyrtarisht Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe kërkohet marrja e masave. Gërryerja e zhavorreve e ka denatyruar sidomos Shkumbinin, duke prekur shtratin e tij. Sipas ekspertëve të mjedisit, kostot e rrugëve rrezikojnë të sjellin një faturë edhe më të madhe nëse ndërhyrjet në lumenj nuk ndalen.