TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një resort luksoz i financuar nga investitorë brazilianë ishte planifikuar të ndërtohej në Sardenjë, me statusin e Zonës Ekonomike Speciale, për të anashkaluar rregullat për mbrojtjen e peizazhit dhe mjedisit. Megjithatë, grupet qytetare dhe organizatat mjedisore detyruan qeverinë të tërhiqte lejet.
Planet për krijimin e një Zone Ekonomike Speciale në Cala Finanza, në verilindje të Sardenjës, janë anuluar pasi projekti i kampingut luksoz në Tavolara rrezikonte të shndërrohej në një "skandal të stilit shqiptar".
Ka shumë ngjashmëri mes resortit që dhëndri i Donald Trump dëshiron të ndërtojë në lagunën pranë Vlorës dhe projektit Tavolara Bay në Cala Finanza. Por, ndryshe nga rasti shqiptar, qeveria italiane ndërhyri dhe tërhoqi autorizimet, duke mbështetur kërkesat e protestuesve, raporton Euronews.
Që prej 2 korrikut, projekti turistik luksoz në bashkinë Loiri Porto San Paolo – përballë ishullit Tavolara dhe rreth 20 kilometra në jug të Porto Rotondos – i zhvilluar nga kompania Tavolara Bay, nuk gëzon më autorizimin e qeverisë.
Departamenti për Jugun pranë Palazzo Chigi urdhëroi revokimin e autorizimit të dhënë më 6 shkurt 2026, i cili kishte hapur rrugën për realizimin e projektit.
Lajmi u bë publik nga vetë kryetari i bashkisë së Loiri Porto San Paolo, Francesco Lai, i cili ishte bërë objekt protestash nga banorët e Sardenjës që organizuan tubime dhe demonstrata kundër zhvillimit të projektit.
Kjo konsiderohet një fitore e madhe për banorët, grupet qytetare dhe organizatat mjedisore, të cilat u bashkuan dhe organizuan protesta të fuqishme.
Mes organizatave që kundërshtuan projektin ishin WWF, Legambiente, Italia Nostra, Gruppo di Intervento Giuridico, Liberu, Rosso Mori, Comitato Costituzione Attiva Sassari, Surra, Movimento Ambiente Sardegna, Bardianía de sa Nurra, Gruttes dhe Nurnet.
Zona ku planifikohej ndërtimi është pjesë e një parku detar të mbrojtur, ku sipas ligjit kombëtar ndalohet kategorikisht ndërtimi. Ajo mbrohet gjithashtu nga Plani Rajonal i Peizazhit, i miratuar në vitin 2006 nga Renato Soru, i cili ndalon çdo ndërtim brenda 300 metrave nga bregdeti.