AKTUALITET, 2 Korrik 2026, 23:33

“Gjetën shesh dhe bënë përshesh”, arkitektja tregon si u favorizuan arkitektët e huaj: Shqipëria u trajtua si një laborator

“Gjetën shesh dhe bënë përshesh”, arkitektja

Doriana Musaj, arkitekte dhe urbaniste, duke komentuar publikimin e librit ‘The Albanian Files” u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit, në MCN TV se ai tregon përmasat e mëdha që ka marrë puna e arkitektëve të huaj në një vend pa rregulla, ku ata kanë qenë të privilegjuar, ndërsa arkitektët vendas janë përjashtuar.

“Unë i kam ndjekur dhe star-arkitektët, nuk prezantohen për herë të parë në këtë libër. Të gjithë bashkë na tregojnë përmasat e mëdha që ka marrë puna e tyre, në një vend ku nuk ka rregulla standarde dhe ku kanë gjetur shesh dhe bëjnë përshesh. Ata janë dëshmitarët se si kanë hyrë në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri.

SPAK nëse do t’i pyeste do të thoshte nëse kanë punuar në kuadër të interesit shqiptar, të kompanisë zhvilluese që i ka kontraktuar, apo kanë dhënë emrin e tyre për të legjitimuar një vizion politik, por jo profesionist.

Na kanë vendosur përpara debatit se këta janë të huaj, star-arkitektë, se nuk duhet t’i kundërshtojmë, ku askush nga ekspertiza e brendshme të mos marrë iniciativë për t’i kundërshtuar se ne që start jemi delegjitimuar.

Është arkivë e një modeli të vetëm për të zhvilluar vendin me ato 523 projekte. Nuk janë vetëm ndërtesa, por mënyra se si na rrëfen rrjetin e studiove, marrëdhëniet me institucionet shqiptare, kronologjinë e pushtetit dhe të territorit.

E gjithë vepra e tyre është trajtimi i Shqipërisë si një laborator, ku çdo arkitekt, politikan mund të eksperimentojë pa rregulla loje.

Kur një arkitekt vendas vendoset përpara rregjimit, por kur vjen star-arkitekti ky rregjim bie dhe ndërtohet një marrëdhënie vertikale star-arkitekti i pari, qytetari i fundit.

Ka edhe studio vendase që janë në grusht që shërbejnë si surrogate të këtyre studiove të mëdha. Ka një bashkëpunim që janë shumë të seleksionuara”- tha arkitektja dhe urbanistja Doriana Musaj.