AKTUALITET, 20 Gusht 2023, 19:07

Rrezikonin të mbyteshin, shpëtohen katër pushues në Shëngjin

Rrezikonin të mbyteshin, shpëtohen katër pushues në

Katër persona, të cilët kanë rrezikuar të mbyten, janë shpëtuar sot nga ndërhyrja e njësisë policore detare në Shëngjin.

Sipas njoftimit të policisë, një shtetas austriak, duke ushtruar sërf, në hapësirën detare të plazhit “Vain”, ishte spostuar në thellësi nga era dhe ka kërkuar ndihmë pasi rrezikonte të mbytej për shkak të erës së fortë.

Po ashtu, tre shtetase kosovare, duke lundruar me pedalon, i kishte shtyrë era në thellësi dhe për shkak të erës dhe dallgëve rrezikonin të mbyteshin.

Shërbimet e Policisë Kufitare janë nisur menjëherë, me mjetet lundruese, në drejtim të dy adresave ku kërkohej ndihmë dhe pas ndërhyrjes kanë bërë të mundur marrjen në bord të shtetasit austriak, ndërsa patrulla tjetër e Policisë Kufitare bëri të mundur gjetjen dhe nxjerrjen në breg të detit në gjendje të mirë shëndetësore, të tre shtetaseve kosovare.