AKTUALITET, 3 Qershor 2025, 09:57

Rregullat/ Sot provimi i parë i Maturës Shtetërore, 27 mijë maturantë testohen tek 'Gjuha e Huaj'! Manastirliu: Besoni tek vetja

Rregullat/ Sot provimi i parë i Maturës Shtetërore, 27 mijë

Mbi 27000 maturantë do të zhvillojnë sot provimin e parë të Maturës Shtetërore, atë të Gjuhës së Huaj.

Nxënësit duhet të paraqiten në ambientet e shkollës në orën 08:30 ndërsa provimi nis në 10:00 dhe përfundon në 12:30.

Këtë vit Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që të ketë edhe teste të personalizuara për 140 maturantët që janë me aftësi të kufizuara, ndërsa më shumë se 640 mësues që do të korrigjojnë testet.

Provimet do të zhvillohen në shkolla që plotësojnë kushtet infrastrukturore të përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore.

Rregulla gjatë provimit:

Nxënësit duhet të kenë me vete mjet identifikimi (kartë ID ose pasaportë);

Gjatë provimit nxënësit duhet të kenë veshje të rregullt, uniforma e shkollës;

Gjatë kosës që zhvillohet provimi ndalohen rreptësisht: telefonat dhe ora smart;

Nxënësit duhet të përdorin stilolaps me një ngjyrë dhe kurrë më shumë se një ngjyrë në plotësimin e testit;

Firmosni kur merrni dhe dorëzoni testin;

Kontrolloni testin për pasaktësi ose paqartësi në lexim;

Nuk lejohet largimi para 12:30;

Sjellje korrekte dhe vëmendje gjatë testit.

Provimet, përfshirë Gjuhën e Huaj, Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, Matematikën dhe Provimin me Zgjedhje, do të zhvillohen nga data 3 deri më 24 qershor. Gjuha Shqipe dhe Letërisa do të zhvillohen më 10 qershor, Matematika më 17 qershor, ndërsa Provimi me Zgjedhje më 24 qershor.

Provimi me zgjedhje ofron një gamë të gjerë lëndësh, përfshirë: Shkencat e Natyrës: Kimi, Fizikë, Biologji, Shkencat Shoqërore: Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi dhe Sociologji dhe Ekonomia dhe Artet: Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti.

Për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë shumë më herët në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin e provimeve në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur.

Sot provimi i parë i maturës, Manastirliu: Besoni te vetja, më e mira është para jush

Mbi 27 mijë maturantë do t'i nënshtrohen sot provimit të gjuhës së huaj. Në këtë ditë të rëndësishme për nxënësit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka përcjellë një mesazh inkurajues për maturantët.

“Sot nis një moment shumë i rëndësishëm për ju, provimet e Maturës Shtetërore. Mbi 27 mijë prej jush, do të përballeni me një seri provimesh që nuk matin vetëm atë që keni mësuar, por edhe përkushtimin dhe mundin që keni treguar gjatë gjithë këtyre viteve të gjimnazit. Sot nisni me gjuhën e huaj. Më pas do të vijnë provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë më 10 qershor, matematika më 17 qershor, dhe më 24 qershor do të zhvilloni lëndët me zgjedhje.

E vetmja gjë që kërkohet sot prej jush është të përqendroheni tek ajo që dini. Pjesa tjetër, organizimi dhe mbarëvajtja e maturës është përgatitur me shumë kujdes: nga mësuesit, drejtuesit e shkollave, deri tek ekspertët e Qendrës së Shërbimeve Arsimore që për muaj me radhë kanë punuar për ta garantuar këtë proces si të drejtë, të sigurt dhe të besueshëm për të gjithë”, tha Manastirliu.
Ministrja vuri në dukje masat e ndërmarra për garantimin e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës teksa theksoi se janë përzgjedhur me kujdes qendrat e testimit dhe është ndërtuar një fond pyetjesh në përputhje me programet orientuese.

“Që në janar janë shpërndarë modelet e testeve, janë zhvilluar para-testime në shkolla për të identifikuar vështirësitë, janë organizuar trajnime intensive me hartuesit, administratorët dhe vlerësuesit e testimit. Janë përzgjedhur me kujdes qendrat e testimit dhe është ndërtuar një fond pyetjesh në përputhje me programet orientuese. Në këtë proces janë angazhuar 145 administratorë të trajnuar, të cilët do të kujdesen për çdo aspekt të provimit: nga tërheqja e materialeve, kontrolli i ambienteve dhe ruajtja e fshehtësisë, deri tek dorëzimi i testeve. Ata do të jenë aty për t’ju dhënë të gjithë qetësinë dhe sigurinë që ju keni nevojë. Janë ngritur 145 qendra testimi sipas standardeve, ndërsa 640 mësues janë përfshirë në procesin e vlerësimit, për të garantuar një maturë transparente dhe të drejtë për të gjithë”, tha Manastirliu.
Manastirliu vuri theksin te risia e këtij viti që është përfshirja më e gjerë e nxënësve me nevoja të veçanta.

“Kemi ndërmarrë edhe një hap të rëndësishëm për përfshirjen e nxënësve me nevoja të veçanta nëpërmjet testeve specifike. Për herë të parë, për nxënësit që nuk dëgjojnë do të kenë pranë tyre mësues të gjuhës së shenjave gjatë testimit, një masë që siguron dhe nxit barazinë dhe dinjitetin për çdo nxënës.

E dimë që keni kaluar shumë kohë duke studiuar, duke bërë ushtrime dhe duke u përgatitur. E dimë që keni pasur dhe do të keni emocione në këtë muaj, si dhe dilemat tuaja. Ajo që ne si prindër e si mësues ju themi është: Besoni tek vetja, më e mira është përpara jush për gjithçka që vjen pas këtij momenti në rrugëtimin drejt një të ardhmeje të shkëlqyer për të gjithë!”, përfundoi Manastirliu.