AKTUALITET, 3 Janar 2022, 10:35

Romano Prodi: Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor të integrohen në BE

Romano Prodi: Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor të integrohen

Ish-kryeministri i Italisë Romano Prodi është shprehur se Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet me integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Në një intervistë për Sette, Prodi tha se nëse BE dëshiron të kalojë krizën e thellë në të cilën është futur, duhet të përfshijë brenda tij Ballkanin Perëndimor.

“Do ta përfundoja me zgjerimin, me Shqipërinë dhe me të gjithë vendet e ish-Jugosllavisë , duke vendosur kështu kufijtë përfundimtarë të Evropës. Përfundimi i zgjerimit është në fakt edhe elementi që do të na detyronte të ndryshonim funksionimin e institucioneve tona, për të cilat kemi aq shumë nevojë.

Evropa është kaq e nevojshme, por ecën aq ngadalë, sa duhet të shpresojmë se gjithçka do të përfundojë për nipërit tanë. Nuk e kam menduar kurrë që pozicioni mbrojtës mund të jetë gjithçka.

Ose po ndërtojmë një minimum mbrojtjeje të përbashkët së bashku me politikën e jashtme evropiane, ose po tallemi nga të gjithë.

Kur shoh se në Libi na kanë dëbuar po ashtu edhe nga dy vende, si Turqia dhe Rusia, jo të krahasueshme për nga madhësia dhe kapaciteti me Evropën, por ne na nevojitet një politikë e jashtme e përbashkët.”- është shprehur Prodi për mediat italiane.

Sipas tij, pa një politikë të jashtme të vërtetë dhe të përbashkët të jashtme, edhe mbrojtja bëhet e padobishme. Për sa i përket Evropës Lindore, në rastin e Polonisë dhe Hungarisë Prodi thekson se ato janë probleme që lidhen me të kaluarën dhe sot nuk ekzistojnë më.

“Gjermania e ka kuptuar se pa Evropën nuk vlen asgjë. Prandaj, Franca, Italia dhe Spanja, së bashku me Gjermaninë, duhet të formojnë një bërthamë të fortë vendesh, të afta për të çuar përpara procesin e Bashkimit Evropian,”- tha Prodi.