AKTUALITET, 24 Tetor 2022, 15:04

Rishi Sunak, kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar

Rishi Sunak, kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar

Ish Kancelari i Thesarit, Rishi Sunak, do të jetë kreu i ri i konservatorëve dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, pasi në garë nuk ka mbetur asnjë rival. 

Boris Johnson u tërhoq nga gara ditën e djeshme, ndërsa Penny Mordaunt u tërhoq 10 minuta para njoftimit të kandidatëve. 

Sunak është kryeministri i tretë i MB brenda një periudhe tre mujore. Ai do jetë kryeministri i parë britaniko-aziatik në historinë e këtij vendi. 

Sunak e humbi garën përballë Liz Truss në zgjedhjet e fundit të mbajtura në Partinë Konservatore, por dështimi i politikave fiskale dhe dorëheqja e ish kryeministres, sollën rikandidimin e tij për postin e kreut të partisë dhe kryeministrit. 

Sunak ishte i vetmi kandidat që arriti të sigurojë mbështetje të konsiderueshme nga deputetët konservatorë. 193 prej tyre e deklaruan publikisht mbështetjen për kandidimin e tij. 

Ndryshe nga Truss, ai është shprehur kundër uljes së taksave ndërkohë që inflacioni mbetet i lartë. 

Sunak ka shërbyer si Kancelar i Thesarit në qeverinë e Boris Johnson, duke përballuar një periudhë të vështirë për ekonominë, për shkak të pandemisë. Ai ishte një nga personat kyç që solli rrëzimin e Johnson, duke dhënë dorëheqjen nga posti, pas publikimit të skandaleve me festat në Downing Street gjatë pandemisë. 

Mbretëria e Bashkuar ka hyrë në një spirale krize politike dhe zgjedhja e Sunak shihet si një mundësi për të rikthyer stabilitetin. 

Nga ana tjetër, kreu i opozitës, Keir Starmer, ka kërkuar zgjedhje të parakohshme. Të njëjtën kërkesë ka edhe Partia Nacionaliste e Skocisë.