AKTUALITET, 17 Nëntor 2021, 11:51

Rikthehet Panairi i Librit në Pallatin e Kongreseve, masat anti-covid që duhet të zbatohen

Rikthehet Panairi i Librit në Pallatin e Kongreseve, masat anti-covid

Ditën e sotme ka nisur Panairi i Librit në Pallatin e Kongreseve pas një viti mungesë për shkak të koronavirusit.

Nisur nga dita e sotme deri më 21 nëntor gjithkush mund të gjejë aty botuesit, shkrimtarët apo dhe përkthyesit e tij të preferuar.

Megjithatë këtë vit në panair do të ketë më pak botues sesa para pandemisë dhe do të ketë edhe masa anti-COVID.

Në një konferencë për media të martën, një ditë para ceremonisë së hapjes solemne, organizatorët kanë thënë se do të shmangen qëndrimet e gjata, e ndërsa librarët do të jenë të vaksinuar ose me test PCR, vizitorët duhet të jenë me maska.

“Sa më të shkurtra të jenë qëndrimet, aq më mirë është për të gjithë. Orari do të jetë nga ora 09:00 deri në orën 20:00. Do të ketë një orë pushimi, nga ora 14:00-15:00, për t’u ajrosur dhe janë të ndaluara vizitat kolektive.

Ka shumë të ftuar, por unë do të përmend njërin prej tyre, që është Nicola La Goia, shkrimtar dhe president i sallonit të Librit në Torino”, ka thënë Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë.

Edhe në këtë edicion pritet të marrin pjesë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Teksa e ka cilësuar Panairin si festë dhe aktivitet gjallërues për Tiranën, Ymeri ka thënë se për shkak të pandemisë ka edhe një ulje të pjesëmarrësve ku do jenë 95 botues.

“Ne këtë vit ishim në kushte të vështira, se kemi ngushtuar stendat, gati 25 për qind më pak, qoftë në hollin kryesor, qoftë në ballkonadë, kjo që korridoret të jenë më të lira e më të bollshme.

Ndaj kemi pasur më pak të ardhura nga arkëtimet për shitjet e stendave”, ka thënë Ymeri.

Në panair do të mbahet  edhe një tryezë diskutimi për problemet e përkthimit kurse të shtunën panairi do të ndajë edhe çmimet vjetore. Vitin e kaluar Panairi i Librit i Tiranës erdhi me formatin online kurse sivjet nën masat anti-covid.