AKTUALITET, 9 Mars 2026, 16:53

Raporti i SPAK për 2025: Krimet e grupeve të strukturuara me risk të lartë, më i ulët trafiku i qenieve njerëzore

Raporti i SPAK për 2025: Krimet e grupeve të strukturuara me risk

Në raportin vjetor, ku pasqyrohet puna e strukturës përgjatë vitit 2025, SPAK paraqet me shifra riskun për kryerjen e veprave penale nga grupe të strukturuara, si dhe për veprat e lidhura me terrorizmin. Ndër veprat penale kryesore, nga hetimet e vitit 2025 vihet re se shumica e tyre kanë tendencë të kryhen në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale (54%), dhe kjo formë e kryerjes së këtyre veprave penale vijon të mbetet shqetësuese dhe me risk të lartë.

Riskun më të madh ndër veprat penale e paraqet trafikimi i narkotikëve (28.4%), pasuar nga pastrimi i produkteve të veprës penale (24.3%). Veprat penale të lidhura me terrorizmin (12%), pavarësisht rënies së nivelit të tyre, konsiderohen me risk mesatar për shkak të ndikimit në sigurinë kombëtare dhe publike, ndërsa mashtrimi kompjuterik (4.5%) dhe trafiku i qenieve njerëzore (1.4%) paraqesin risk më të ulët, por kërkojnë monitorim për shkak të pasojave sociale dhe karakterit të tyre ndërkufitar.

Në tërësi, trafikimi i narkotikëve dhe pastrimi i parave në kuadër të krimit të organizuar mbeten veprat penale me prioritet më të lartë për SPAK.