TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Për herë të parë, qeveria shqiptare ka nisur një program mbështetjeje financiare për 50 mësues të gjuhës shqipe në Athinë. I pranishëm në lancimin e këtij programi ishte vetë kryeministri Edi Rama, i cili tha se synohet ruajtja dhe trashëgimia e gjuhës shqipe.
"Me mësuesit shqiptarë në Greqi, ku nisim për herë të parë një program mbështetje financiare për 50 mësues, që do të zgjerohet më pas edhe në shtete të tjera, për ata që me misionin patriotik për të ruajtur e trashëguar gjuhën shqipe, mes sakrificave e ndjenjës së përkatësisë, i mësojnë gjuhën tonë të bukur fëmijëve shqiptarë, duke i mbajtur të lidhur fort me rrënjët e tyre, e për t’iu dhënë një mundësi më shumë për t’u kthyer e për të jetuar aty ku e kanë zemrën, në Shqipëri", shkruan Rama.
Një program i premtuar me vizitën e parë të Ramës në Athinë gjatë turit të diasporës, që tashmë kryeministri tha se u kthye në realitet dhe do të punohet për shtrirjen e tij edhe në shtete të tjera.
“Më vjen mirë që e materializuam nismën e marrë kur erdhëm herën e kaluar. Falënderoj në mënyrë të posaçme ambasadoren që i kushtoi një vëmendje të veçantë kësaj nisme dhe na e lehtësoi punën në mënyrë shumë të ndjeshme dhe dua të falënderoj zonjat mësuese për angazhimin. Ky është vetëm fillimi, është vetëm grupi i parë i dallëndysheve që lajmërojnë këtë pranverë të gjuhës shqipe në Greqi, sigurisht që ne e kemi mësuar shumë nga i gjithë ky proces. E dimë që nuk është thjesht çështja e identifikimit dhe regjistrimit të mësuesve dhe pagës së mësuesve nga shteti shqiptar, por ka edhe ca elementë të tjerë që duhen marrë parasysh. Do i bëjmë në bashkëpunim të ngushtë me ju, ambicia jonë është që këtë numër ta rrisin në mënyrë të ndjeshme. U shpërblye një mund jo i vogël i shumë prej jush, që këtë punë e kanë nisur prej shumë kohësh.
Ne kemi mësuar nga ky proces, nuk është vetëm çështja e identifikimit dhe e regjistrimit të mësuesve dhe pagës së mësuesve nga shteti shqiptar, por ka edhe disa elementë të tjerë, që do ti bëjmë në bashkëpunim. Ambicia është që numrin ta rrisim, të arrijmë në një nivel që të mos kemi më zonë të pambuluar që nuk ka mundësi të mësojë gjuhën shqipe.
Në një farë mënyrë përtej shpërblimit është respekti dhe përtej kontratës është mirënjohja. Unë e di që mirënjohja e shtetit shqiptar ndaj jush është një gjë që ju e vlerësoni. Më vjen mirë që sot flasim për një gjë të realizuar.
Natyrisht që dikush mund të thotë pse u desh kaq kohë, sepse të gjithë gjërat marrin kohë. Trashëgimia ka qenë shumë i rëndë dhe pozicioni ynë ka qenë i vështirë. Më vjen mirë që marrëdhëniet me autoritetet këtu janë në një nivel më të mirë seç ishin. Do të bëjmë përpjekje që të jenë më të mira. Me anëtarësimin në BE do të kalojmë në një nivel tjetër.
Pavarësisht se shqiptarët janë integruar në Europë do të ndryshojnë dhe ndjenja e barazisë nuk do të jetë thjesht një burim i vetëdijes që sa shumë gjera kemi arritur të ndryshojmë për veten, por do të jetë e vulosur. Do të jemi më të fortë dhe do të bëjmë gjëra më të mira”, tha Rama.