AKTUALITET, 2 Mars 2025, 11:11

Aksident tragjik në Elbasan, humbin jetën nënë e bir, plagosen shoferi i furgonit dhe 4 pasagjerë

Aksident tragjik në Elbasan, humbin jetën nënë e bir,

Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të diele në aksin e rrugës kombëtare Peqin-Elbasan, në fshatin Bishqem.

Në aksident janë përfshirë dy automjete, një automjet tip benz me targë AB507AV dhe një furgon pasagjerësh me targë AA368NH, i drejtuar nga shtetasi Anesti Bufi. Ky i fundit dhe disa pasagjerë janë transportuar me autoambulancë në spitalin rajonal të Elbasanit për ndihmë mjekësore.

Nga aksidenti i rëndë në Elbasan, humbën jetën dy persona, ndërsa 5 të tjerë u plagosën.

Mësohet se viktimat ishin nënë e bir, Klodian Shahini 33 vjeç dhe Fatbardha Shahini 55 vjeçe.

Aksidenti i rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele (2 mars), ku një furgon pasagjerësh u përplas me makinën ku po udhëtonin nënë e bir.

Ndërkohë të plagosurit janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

"Mëngjesin e sotëm, në aksin rrugor “Elbasan-Peqin”, në fshatin Paulesh, furgoni që drejtohej nga shtetasi A. B., 44 vjeç, është përplasur me automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin K. Sh.

Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën drejtuesi i automjetit tip “Benz” shtetasi K. Sh., dhe shtetasja F. Sh., 55 vjeçe, pasagjere në këtë automjet.

Gjithashtu, janë dëmtuar drejtuesi i furgonit, shtetasi A. B., dhe 4 pasagjerë që udhëtonin me furgon, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit"- njoftoi policia.