AKTUALITET, 16 Korrik 2023, 17:24

Rama propozon emrin e aktorit të njohur nga Tropoja si ambasador në Kosovë (LISTA)

Rama propozon emrin e aktorit të njohur nga Tropoja si ambasador në
Malaj dhe Rama gjatë fushatës së 25 prillit 2021 në Tropojë

Kryeministri Edi Rama ka propozuar emrat për ambasadorët e rinj në Kosovë, Serbi dhe 10 vende të tjera. Mes 12 emrave të rinj të cilët qeveria i propozon për ambasadorë të Shqipërisë ndodhet edhe emri i aktorit Petrit Malaj, që pritet të jetë ambasadori i ri i vendit tonë në Kosovë.

Ambasadori aktual Qemal Minxhozi do ta lërë këtë detyrë, në kulmin e një marrëdhënieje të krisur thellë, mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit. Malaj ishte kandidat i PS-së për qarkun e Kukësit në zgjedhjet e 25 prillit 2021, por nuk fitoi dot si deputet. 

Në të njëjtën listë, ndodhet edhe propozimi i Ramës për një ambasador të ri në Serbi. Në Beograd Rama ka propozuar diplomati i karrierës, Bardhyl Canaj, i cili ka shërbyer më parë në Izrael.

Ndërsa drejtori i komanduar i SHISH-it, Oljan Kanushi, është propozuar si ambasador në Slloveni.

Propozimet për ambasadorët në Kosovë, Serbi dhe Hungari do të shqyrtohen ditën e nesërme në Komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme ku do të përgatitet edhe raporti këshillues që do t’i dërgohet presidentit, Bajram Begaj. Kujtojmë se më herët Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar 16 ambasadorë të rinj.

12 emrat e propozuar nga qeveria për ambasadorë:

Petrit Malaj Kosovë
Oljan Kanushi Slloveni
Bardhyl Canaj Serbi
Genc Pecani Rusi
Qirjako Qirko Hungari
Artur Kuko Holandë
Albana Dautllari Suedi
Mimoza Halimi Poloni
Sokol Dedja Danimarkë
Inid Milo Bullgari
Entela Gjika Spanjë
Ilir Hysa Kuvajt