AKTUALITET, 13 Qershor 2022, 19:32

Rama: Procesi i tenderimit nuk do të kryhet më nga administrata dhe ministritë

Rama: Procesi i tenderimit nuk do të kryhet më nga administrata dhe
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama thotë se procesi i tenderimit nuk do të kryhet më nga administrata apo ministritë, por nga ekspertë të jashtëm.

Gjatë fjalës së tij në Konferencën e parë Kombëtare të Anti-Korrupsionit, zhvilluar në sallën e Pallatit të Kongreseve, Rama u shpreh se në këtë proces mund të përfshihen edhe kompani ndërkombëtare.

”Po përgatisim një fazë tjetër, për të çliruar administratën nga pesha e madhe e procesit të kontraktimit të fondeve publike përmes tenderave, për të përfshirë ekspertizën e jashtme, pse jo edhe kompani ndërkombëtare, në mënyrë që administrata të bëjë administratën, ministritë të bëjnë ministritë dhe procesin e tenderimit ta bëjnë struktura që kanë një profesionalizëm më të lartë”, deklaroi kreu i qeverisë.

Sipas Ramës, një nga problemet më kryesore nuk është thjesht korrupsioni, por edhe paaftësia për të ndërtuar procese që janë profesionale, transparente dhe të drejta.