TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” në Berat gjatë vitit 2025 ka tërhequr një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj, duke u kthyer në një ndër muzetë më të vizituar në vend.
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale tha se “për të dytin vit radhazi, në vitin 2025, Muzeu Kombëtar i Ikonografisë Onufri ka kaluar shifrën domethënëse prej mbi 100 mijë vizitorësh”.
Kjo shifër është një tregues i qartë se Berati dhe Onufri janë kthyer në destinacion kulturor të qëndrueshëm dhe të kërkuar.
Nga janari deri në fund të dhjetorit 75% e vizitorëve ishin të huaj, ku kryesonin polakët, francezët, italianët, gjermanët, spanjollët dhe izraelitët.
Muzeu i Ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.
Muzeu mban emrin e Onufrit, kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja – sipas mbishkrimeve që mbart – rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike.
Qyteti i Beratit, i mbrojtur nga UNESCO, vazhdon të jetë një nga destinacionet më të kërkuara për turizmin kulturor në Shqipëri.