AKTUALITET, 9 Maj 2023, 20:05

Rama nga Elbasani: E kemi ngritur flamurin kombëtar në një lartësi që nuk ka qenë kurrë në sytë e botës

Rama nga Elbasani: E kemi ngritur flamurin kombëtar në një

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se "ne kemi arritur që flamurin kombëtar ta ngremë në një lartësi që nuk ka qenë kurrë në sytë e botës".

Në fjalën e tij në takimin përmbyllës në Elbasan, Rama tha se “nuk ka qenë e rastësishme që në këtë fushatë ne kemi zgjedhur jo vetëm që të kursejmë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve elektorale për të bërë dhurimet e pemëve në çdo bashki, por kemi zgjedhur që të mblidhemi në këto takime të fundit pa flamujt e Partisë Socialiste, por vetëm me flamurin tonë kombëtar”.

“Besoj shumë dhe ne jemi të bindur që këto zgjedhje janë zgjedhje vendore, për të caktuar me vullnetin dhe votën e lirë të çdo komuniteti njerëzit që populli i çdo bashkie do marrë në punë për të shërbyer 4 vite. Por janë edhe zgjedhje që për arsye të atyre që duan të na zënë rrugën me çdo kusht kanë lidhje me këtë flamur, me flamurin kombëtar. Kanë lidhje me flamurin kombëtar sepse ky flamur është frymëzimi dhe udhërrëfyesi ynë që nga dita e parë kur kemi marrë këtë detyrë dhe kur kemi pasur ambicien që Shqipërisë t’i japim një tjetër vend nga ai që kishte në tryezën e madhe të shteteve, vendeve, kombeve”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “kemi arritur t’i bëjmë vend vetes duke u ulur me të mëdhenjtë e kësaj bote si të barabartë, pavarësisht se nuk jemi të mëdhenj, nuk jemi të pasur dhe kemi ato probleme që kemi, por kjo nuk do të thotë asgjë se siç qytetarët janë të barabartë mes tyre, kur vjen puna për të drejtat e dinjitetin e tyre edhe vendet kur kanë udhëheqje që i mishëron aspiratat e tyre janë të barabarta mes tyre”.

“Këtë flamur kemi arritur ta vendosim për herë të parë në historinë e kombeve në tryezën e Këshillit të Sigurimit ku Shqipëria është bashkë me një numër të vogël vendesh që janë fuqi të mëdha dhe ku Shqipëria ka zërin e saj edhe sot që flasim. Këtë flamur e bëmë flamurin e Presidencës së OSBE-së, që është një organizatë që shtrihet nga Kanadaja deri në Rusi”, tha Rama.

Më tej Rama u shpreh se “vendi i këtij flamuri kombëtar, Shqipëria jonë, u bë i pari vend që BE zgjodhi për t’u mbledhur jashtë kufijve për një samit të tij”.

“Çfarë lidhje kanë këto me 14 majin dhe pse flamuri kombëtar në 14 maj duhet pasur parasysh nga të gjithë ata që shkojnë të votojnë ose ata që zgjedhin të mos votojnë. Kjo ka lidhje të madhe se këtë që kemi arritur i kemi arritur duke i bërë vend vetes, kemi fituar një besim të madh nga aleatët tanë të mëdhenj pa të cilët nuk do mundeshim kurrë të uleshim në Këshillin e Sigurimit, të drejtonim OSBE, të mirëprisnim samitin e BE-së dhe të mirëpresim në tetor samitin e Berlinit në Tiranë”, tha Rama.