AKTUALITET, 7 Maj 2025, 20:44

Rama: Fieri kryeqyteti i socialistëve, i dhamë dinjitet flamurit kuqezi

Rama: Fieri kryeqyteti i socialistëve, i dhamë dinjitet flamurit

Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot takimin përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit në Fier, të cilin e cilësoi si kryeqyteti i socialistëve.

Në fjalën e tij, Rama tha se “është një pamje fantastike këtu dhe do të ishte bukur shumë të kishim mundësi të ishit këtu dhe të shikonit atë që shikoj unë tani sepse është vërtetë det siç tha Zeqineja, është një det kuq e zi dhe nuk ka sesi të jetë ndryshe sepse Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë, Fieri është kryeqyteti i socialistëve”.

“Kur ne kemi nisur këtë rrugë së bashku ky shesh nuk ekzistonte, përkundrazi ekzistonte problemi i kthyer në plagë në një plagë e pandashme e jetës së Fierit edhe të qytetarëve të Fierit, Gjanica e bllokuar që mblidhte plehrat dhe që derdhte llumrat nëpër rrugët e Fierit”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ashtu sikundër ne e kthyem Gjanicën nga një plagë në një vlerë dhe një kartolinë krenarie për këtë qytet ashtu ne e kthyem të gjithë organizimin e Shqipërisë nga një plagë e hapur në një emër që tanimë na bën krenarë kudo ku shkojmë nëpër botë”.

“Nuk e ulim dot kokën, nuk kemi më zor të themi jam shqiptar kur na pyesin nga je, nuk kemi më asnjë vështirësi përkundrazi jemi të kënaqur të tregojmë për vendin tonë sepse gjithmonë  më shumë njerëz nga Europa dhe gjithë bota vijnë në vendin tonë, duan të vijnë për vendin tonë, duan të vijnë në vendin tonë”, theksoi Rama.

Më tej Rama u shpreh se “në këto vite ne kemi bërë shumë gjëra, pro gjëra e gjërave ka qenë dinjiteti që i kemi dhënë flamurit kuq e zi të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, të cilin e valëvisnim me krenari vetëm në stadiume, por nuk e shikonim asgjëkund të qëndronte mes flamujve të tjerë si të barabartë. Ne e morëm këtë flamur dhe e ngjitëm në të gjitha ato maja ku mblidhet bota, ku mblidhet Europa ku mblidhen ata të cilët marrin vendime, madje jo njëherë, por disa herë ky flamur ishte flamuri që udhëhoqi tryeza të mëdha ndërkombëtare”.