AKTUALITET, 28 Korrik 2024, 14:17

Rama bën ndryshime në qeveri, largon Ballën, Peleshin dhe Meten

Rama bën ndryshime në qeveri, largon Ballën, Peleshin dhe Meten

Edi Rama ka njoftuar ndryshime në kabinetin qeveritar. 

Taulant Balla nuk do të jetë më Ministër i Brendshëm dhe do të zëvendësohet nga Ervin Hoxha. Kryeministri njoftoi se Balla do të zëvendësojë Elisa Spiropalin në postin e Ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin. 

Niko Peleshi do të largohet nga posti i Ministrit të Mbrojtjes dhe do të jetë kryetar i grupit parlamentar të PS. Në vend të Peleshit, ministër i Mbrojtjes do të jetë Pirro Vengu. 

Po kështu edhe ministri i Financave nuk do të jetë më Ervin Mete, i emëruar rishtazi, por ai do të zëvendësohet nga Petrit Malaj. 

Rama gjithashtu njoftoi se do t'i propozojë grupit Parlamentar emrin e Elisa Spiropalit për drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë, pas largimit të Lindita Nikollës. 

Kryeministri i njoftoi ndryshimet në fund të fjalës së tij në Kongresin e PS, duke habitur të pranishmit, të cilët nuk kishin dijeni për këto ndryshime dhe e gjetën veten papritur, të larguar apo të emëruar në poste të tjera.