TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kreu i “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, reagoi pas vendimit më të fundit të lajmëruar nga qeveria e Ramës për të ndaluar emigrimin e mjekëve nga vendi, përmes rritjes së rroga dhe lejimit të tyre për të punuar si privatë, pas orarit në institucionet shëndetësore publike. Sipas Qorit atë që pacienti deri më sot e jepte nën dorë në spitalet publike, tanimë mund t’ia japë me faturë mjekut pas orës 16:00, dhe efekti i drejtpërdrejtë i kësaj skeme do të jetë neglizhimi i trajtimit të pacientëve gjatë orarit zyrtar për t’i shtyrë të paraqiten në spital pas orës 16:00. Por, thotë ai, mjekët që zgjedhin të punojnë jashtë orarit duhen paguar shtesë nga buxheti i shtetit, jo nga pacientët.
Reagimi
Qeveria e zgjidhi më në fund problemin e emigrimit të mjekëve. Do t’ua rrisë rrogën duke legalizuar korrupsionin. Atë që pacienti deri më sot e jepte nën dorë në spitalet publike, tanimë mund t’ia japë me faturë mjekut pas orës 16:00. Fakti që pacienti si punëtor ka një jetë që paguan sigurime shëndetësore, pikërisht që të marrë shërbim pa pagesë në spitalet publike, është i parëndësishëm. Fakti që pacienti si qytetar paguan taksa me anë të të cilave ngrihet infrastruktura spitalore, sërish është i parëndësishëm. Tanimë ai/ajo fiton “të drejtën” të kurohet në spitalet publike duke paguar shtesë, si të shkonte në spital privat. Mrekullia vetë!
Hileqarët në pushtet thonë se pagesa është për punën jashtë orarit të mjekut, i cili deri në orën 16:00 do të vazhdojë t’u shërbejë qytetarëve pa i detyruar ata të paguajnë. Mirëpo kush do trajtim të veçantë apo korsi preferenciale në kurim, duhet të kalojë nga spitali pas orës 16:00. Çdo njeri e kupton se efekti i drejtpërdrejtë i kësaj skeme do të jetë neglizhimi i trajtimit të pacientëve gjatë orarit zyrtar për t’i shtyrë të paraqiten në spital pas orës 16:00.
Zgjidhja e këtij problemi është e thjeshtë: rriten seriozisht pagat e mjekëve dhe personelit mjekësor dhe, nga ana tjetër, ashpërsohen masat kundër marrjes së ryshfetit. Mjekët që zgjedhin të punojnë jashtë orarit duhen paguar shtesë nga buxheti i shtetit, jo nga pacientët. Po kjo nuk mund të ndodhë, madje as të imagjinohet, kur në krye të punëve kemi qeveritarë që mendojnë natë e ditë për të vjedhur.
Edhe shtet social, edhe shtet hajdutësh nuk mund të ketë. Zgjidhni e merrni!