AKTUALITET, 10 Korrik 2025, 15:01

Punëtori i ndërtimit që po i bën “puç” Adriatik Lapajt është daja i Endri Shabanit

Punëtori i ndërtimit që po i bën “puç”

Një komedi e mirëfilltë po zhvillohet në koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet, të cilët u zotuan se do të kandidonin me lista të hapura. 

Zeqir Kordhoni, personi që kërkon të "rrëmbejë" mandatin e vetëm të koalicionit në Tiranë, mandati i cili sipas marrëveshjes i takon Adriatik Lapajt si më i votuari, rezulton të jetë daja i Endri Shabanit. 

Nipi i Kordhonit, Endri Shabani, mori një rezultat mjaft zhgënjyes, duke dështuar për herë të dytë të zgjidhet deputet, por ndoshta daja ia del me të parën!  

“Nisma Shqipëria Bëhet” përbëhej nga tre parti, ku dy më kryesoret ishin “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt dhe “Nisma Thurje” e Endrit Shabanit. Ata u futën në zgjedhje me lista të hapura praktikisht, duke rënë dakord, që në listën e mbyllur vendosën emra fiktivë të familjarëve dhe të njohurve dhe mandatet do t’i merrnin kandidatët më të votuar nga lista e hapur. Në këtë rast, më i votuari rezulton Adriatik Lapaj. 

Pavarësisht se kandidatët e listës së mbyllur kanë dhënë dorëheqje formale, ata sërish e kanë të drejtën për të kërkuar mandatin siç po ndodh dhe me rastin e dajë së Shabanit, Zeqir Kordhoni. 

Aktualisht, fituese zyrtarisht e mandatit të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Tiranë është Ana Dajko, ndërsa më i votuari nga lista e hapur është Adriatik Lapaj. Që ai të hyjë në parlament, duhet që Ana Dajko dhe 11 të tjerët e listës së mbyllur të refuzojnë mandatin, siç ishin zotuar.

Zeqir Kordhoni është i renditur i 9-ti në listën e Tiranës, si kandidat i “Nisma Thurje” dhe sipas CV-së së tij, ai është një punëtor ndërtimi dhe një invalid që trajtohet me KEMP, por tashmë ka shfaqur ambiciet për t'u bërë deputet dhe askush nuk e ndalon dot!