AKTUALITET, 7 Dhjetor 2023, 18:45

PS ndryshon rregulloren e Kuvendit, deputetët e opozitës përjashtohen deri në 2 muaj (DOKUMENTI)

PS ndryshon rregulloren e Kuvendit, deputetët e opozitës

Kuvendi i Shqipërisë ka ndryshuar rregulloren duke vendosur që deputetët të përjashtohen deri në dy muaj, nëse përdorin dhunë apo mjete piroteknike në seancat plenare.

Sipas një drafti të rregullores së ndryshuar, deputeti do të përjashtohet deri në 30 ditë në rastet kur; përdor dhunë fizike ndaj deputetëve të tjerë, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, punonjësve të shërbimit të seancave apo të Gardës së Republikës; kur përmes veprimeve të dhunshme dëmton pajisjet dhe orenditë e cdo mjet tjetër logjistik në sallën e seancave/mbledhjes; dhe kur kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni.

Përjashtim deri në 60 ditë, do të ketë në rastet kur deputeti përdor lëndë apo mjete piroteknike, tymuese, bojra dhe materiale apo mjete të tjera të ngjashme brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit/mbledhjes së komisionit  brenda mjediseve të Kuvendit; kur kryen veprime / sjellje që përbëjnë shkeje që konfigurohen si shkelje penale pavarësisht nëse shkelja përben vepër penale sipas Kodit Penal; dhe kur kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 6.

Ndryshimet e rregullores bëhen pas gati 5 javëve kur në sallën e seancave plenare dhe në ato të komisioneve parlamentare, deputetët e opozitës përdorin tymuese, flakadanë dhe shashka si dhe ndërpresin punimet e komisioneve parlamentare në shenjë proteste ndaj vendimit për të mos lejuar ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare dhe të caktimit të Enkeled Alibeajt si përfaqësues të opozitës në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, që është kundërshtuar nga selia blu.

PS ndryshon rregulloren e Kuvendit, deputetët e opozitës