AKTUALITET, 30 Maj 2022, 12:31

Pronat e ushtrisë/ Xhaferraj: Ka shkelje, po jepen për projekte turistike. Peleshi: Spekulime

Pronat e ushtrisë/ Xhaferraj: Ka shkelje, po jepen për projekte

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi është përgjigjur në një interpelancë me deputetin demokrat Ferdinand Xhaferraj ditën e sotme në Kuvend në lidhje me privatizimin e pronave të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Xhaferraj pyeti Peleshin për shkeljet ligjore në administrimin e pronave në vitin 2014 dhe cilat kanë qenë përgjegjësitë e personave që kanë shkelur ligjin.

“Cili është statusi i pronës së ish vend dislokimit të bazës ajrore në Kuçovë, Berat? A vijon të jetë në planin e vendosjes prona në Shëngjin Lezhë? A është ndjekur nga procedura për dhënien me qira të bazës detare në Sarandë?

A ka pasur Ministria e Mbrojtjes shkelje ligjore në administrimin e pronave në vitin 2014 dhe cilat kanë qenë përgjegjësitë e personave që kanë shkelur ligjin? Kam kërkuar këtë interpelancë me Niko Peleshin për të dhënë shpjegime dhe informacione”, tha Xhaferaj.

Peleshi u shpreh se janë krenarë që baza e Kuçovës është kthyer në bazë të NATO-s ndërsa shtoi se e gjithë interpelanca e thirrur nga Xhaferaj është spekulative. Ai u shpreh se dhënia me qira e pronave te investitorët nuk është mëkat por përdorim me efiçencë i tyre.

“Sot që e kemi këtë bazë jemi krenarë. Po e bëjmë tani realitet. Ne nuk i vëmë shumë mbiemra politikë këtyre zhvillimeve sepse kanë lidhje me sigurinë tonë kombëtare. Thatë mungesë transparence por nuk e thatë pse. E gjithë interpelanca është spekulative. Nuk keni të drejtë të thoni që nuk ka transparencë.

FA trashëgojnë asete të një ushtrie të para vitit 90. Realiteti ka ndryshuar por nuk është kollaj të ndryshojë me pronat e ushtrisë. Sot që flasim kemi 1372 prona në emër të FA.

Një pjesë e tyre janë vënë në dispozicion të zhvillimit. Sepse nuk janë në mundësitë tona për t’u përhapur në një numër të tillë pronash. Jemi në një kohë tjetër. Jemi pjesë e NATO-s.

Na duhet që këtë numër të madh pronash ta vënë më efiecencë jo ta vëmë thjesht në vëzhgim. Çështja e dhënies së pronave në përdorim të investitorëve nuk është mëkat por detyrë që na e cakton ligji. Nuk kam dhënë asnjë pronë me qira nuk kam dhënë autorizim për privatësinë e asnjë prone.

Por nuk mburrem me këtë. Sepse një ministër mbrojtje do të thotë kur i vë në funksion sa më mirë pronat. Të gjitha pronat që kanë qenë në planin e përhapjes janë në planin e përhapjes.

Thatë që ligji për kthimin e pronave e ndalon kthimin e pronave brenda planit të përhapjes. Ky është thelbi i problemit. Po e them në kohën kur qeveriste një parti tjetër janë bërë kthime pronash me vendim gjykate në bazat tona detare. Kjo lidhet me një nga pyetjet tuaja në bazën e Shëngjinit. Në vitin 2009 është regjistruar brenda planit të përhapjes pikërisht ajo zonë për të cilën ju flisni”, deklaroi Peleshi.

Ndërtime mbi bazën e Shëngjinit/ Ministri Peleshi i përgjigjet deputetit Xhaferraj: Nëse doni të spekuloni politikisht, kryebashkiaku i PD dha leje për…

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi duke iu përgjigjur deputetit demokrat Ferdinand Xhaferraj, në interpelancën e kërkuar prej këtij të fundit, për pronat e ushtrisë që jepen me qira përmes ligjit “për investitorët strategjikë”, kujtoi një episod kur në vitin 2009, përfaqësuesi i PD në Bashkinë e Lezhës ka dhënë leje ndërtimi për një kompani në bazën ndihmuese në Shëngjin.

“Ka aplikuar për leje e ka marrë lejen e ndërtimit nga kryetari i bashkisë përfaqësues i PD në vitin 2009, ia ka rifreskuar në 2018, ia ka rifreskuar në 2019, nuk dua t’ja përmend emrin kryetarit, por nëse doni të luani e spekuloni politikisht…”,- tha Peleshi.

Ndër të tjera në replikën me deputetin Xhaferraj, Peleshi tha se “ju siguroj se sa herë nga auditi i brendshëm, apo nga KLSH, apo nga prokuroria do ketë konstatime shkeljesh, nuk do qëndroj asnjëherë në mos veprim por do të veproj si ligji më detyron”.

Pjesë nga fjala e Niko Peleshit: Sa i përket pyetjes së dytë, ish baza ndihmuese Shëngjin, Lezhë, po, është në planin e përhapjes se nga 2014 nuk ka ndryshuar, ama problematika në këtë zonë është shumë e madhe.

Mbi bazën e Shëngjinit ka pasur kthime pronash, kafshime të tmerrshme të pronës, ndonëse ne Ministria e Mbrojtjes në 2005 kërkonte regjistrimin e zyrat e pasurive nuk e regjistruan në favor të Ministrisë por në 2009 në emër të privatit.

Nuk dua të gjykoj nëse e ka pasur apo jo pronën por ju e cituat ligjin që ndalon kthimin e pronave kur ato bien mbi baza apo prona që i ka në funksion ministrisë së Mbrojtjes.

E di që ju mund të distancoheni nga e kaluara, por ky është realiteti. Kemi bërë dy kallëzime administrative, është pushuar çështja, bëmë tre kallëzime penale, dy të parat prokurori ka pushuar çështjen, ndaj prokurorit kemi bërë kallëzim në gjykatë, e në fund kemi çuar në SPAK më në fund për ndërtimin që po ndodh brenda bazës ka vendosur sekuestro preventive.

Ky ndërtim është me leje ndërtimi se pronën e kthyer padrejtësisht kompania e kishte blerë nga ish pronari, ka aplikuar për leje e ka marrë lejen e ndërtimit nga kryetari i bashkisë përfaqësues i PD në vitin 2009, ia ka rifreskuar në 2018, ia ka rifreskuar në 2019, nuk dua t’ja përmend emrin kryetarit, por nëse doni të luani e spekuloni politikisht…