AKTUALITET, 21 Tetor 2025, 11:27

Presidentja e Komisionit të Venecias: Shqipëria, hap madhor drejt pavarësisë së gjyqësorit! Xhafaj: Debati konstruktiv brenda sistemit, i nevojshëm

Presidentja e Komisionit të Venecias: Shqipëria, hap madhor drejt

Po mbahet në Tiranë Konferenca me temë “30 vite partneritet dhe progress: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias. Diskutimet po zhvillohen në tre panele, ku në fokus të diskutimeve është reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut, reforma zgjedhore dhe drejtësia kushtetuese. 

Në panelin për reformën në drejtësi, mbajti fjalën presidentja e Komisionit të Venecias, Hanna Suchocka, e cila vlerësoi hapat që ka bërë Shqipëria drejt pavarësisë së gjyqësorit. Ajo theksoi se këtëe qëndrim e kanë shprehur qartësisht në opinionin e vitit 2016 të këtij komisioni për procesin e Shqipërisë.

“Shqipëria ka bërë hap madhor drejt reformimit të gjyqësorit. Kjo është theksuar qartësisht në opinionin e Komisionit të Venecias të vitit 2016. Dhe Komisioni ka përgëzuar autoritetet shqiptare dhe ekspertët e Komisionit të Posaçëm në lidhje me përgatitjen e Reformës Kushtetuese për gjyqësorin. Ne vazhdojmë që të kemi dialog të përhershëm”, tha Suchocka.

Kryetari i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj thotë se pas gati një dekade, mund të thuhet me bindje se reforma në drejtësi ka dhënë rezultate, por shtoi se ka ende rrugë të gjatë përpara. Ai përmendi risitë që solli reforma por edhe problematikat që mbeten ende.

Sipas tij, një ndër sfidat mbetet ende mentaliteti i atyre që shërbejnë në këtë sistem. Theksoi se qasja për të qëndruar larg debatit konstruktiv brenda sistemit është e gabuar. Sipas tij, edhe diskutimet ndërmjet pushteteve nuk duhen konsideruar si 'rrezik' përsa kohë zhvillohen brenda normave.

"Sistemi sot ka nevojë si bima për ujin për debatin e brendshëm konstruktiv, kritikën dhe oponencën proporcionale. Edhe debatet ndërmjetet pushteteve duhen konsideruar kur zhvillohen brenda normave. Prirja për të qëndruar larg ndërmjet bashkëveprimit është qasje e gabuar.", tha Xhafaj. 
Të pranishëm në këtë panel diskutimi, përveç disa anëtarëve të ‘Venecias’, janë edhe drejtues të institucioneve të drejtësisë, si kreu i SPAK, Altin Dumani, i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, avokatja e Popullit Erinda Ballanca, ministri i Drejtësisë në detyrë i Kosovës, Blerim Sallahu etj. 

Një ditë më parë, në hapjen e kësaj konference, kryeministri Edi Rama vlerësoi rolin thelbësor që ka patur Komisioni i Venecias në procesin e vettingut si dhe në reformën në drejtësi, duke e cilësuar si udhërrëfyes në këtë rrugëtim. Ndërkaq, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj megjithë vlerësimin për “Venecian”, u shpreh se opinionet e komisionit nuk duhet të përdoren si mjet për të kontestuar vendimet e Gjykatës, të cilat janë përfundimtare.