AKTUALITET, 23 Maj 2025, 18:11

Presidenti Begaj në Filadelfia, vlerëson kontributin e diasporës shqiptare ndër breza

Presidenti Begaj në Filadelfia, vlerëson kontributin e diasporës

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentarë të NATO-s në Dejton (Dayton).

Në nder të Presidentit Begaj, Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes” organizoi një ceremoni të posaçme me nxënësit e shkollës “Gjuha Jonë”.

Gjatë fjalës në këtë takim, Presidenti Begaj vlerësoi kontributin e diasporës shqiptare që nga fundi i shekullit XIX në jetën publike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe veprimtarinë ndër breza për ruajtjen e identitet shqiptar.

Kreu i Shtetit risolli në vëmendje rrugëtimin e diasporës duke veçuar aktivizimin e atdhetarëve të cilët i dhanë jetë çështjes shqiptare përmes institucioneve politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore të Amerikës. Gjithashtu, Presidenti vlerësoi edhe iniciativat e shqiptarëve për ngritjen e shoqatave dhe rrjeteve të bashkëpunimit mes njëri-tjetrit me synim integrimin e shqiptarëve në shoqërinë amerikane, duke ruajtur njëkohësisht identitetin kombëtar.

Presidenti Begaj në Filadelfia, vlerëson kontributin e diasporës

“Falë vlerave dhe standardeve demokratike të vendit që ju keni zgjedhur si atdhe të dytë, në këtë vend kampion të demokracisë dhe respektit të të drejtave të njeriut, shqiptarët e besimit ortodoks, katolik dhe mysliman ndërtuan objektet e tyre shqipfolëse të kultit, të cilat u bënë qendra jo vetëm fetare, por edhe kulturore e arsimore”.

Presidenti Begaj në Filadelfia, vlerëson kontributin e diasporës

Veç vlerësimit të diasporës së hershme, Presidenti Begaj theksoi dhe kontributin e shqiptarëve që emigruan më vonë, pas rënies së regjimit komunist, të cilët, sipas tij, i dhanë një hov të ri komunitetit shqiptar duke rritur numrin e organizatave, shkollave shqipe dhe bizneseve.

Presidenti Begaj në Filadelfia, vlerëson kontributin e diasporës

Siç theksoi Presidenti Begaj, përballë sfidave ata kanë bërë përpjekje për ngritjen e qendrave shumëdimensionale për ruajtjen e identitetit kombëtar, kulturor dhe gjuhësor: “Pikërisht në këtë shtet, në këtë mjedis multikulturor, shkolla “Bijtë e Shqipes” ndihmon në parandalimin e asimilimit të plotë të brezave të rinj, duke mbajtur gjallë elementet shqiptare në jetën tuaj të përditshme. Unë jam i ndërgjegjshëm se sfidat tuaja për të mbajtur hapur e funksionuar shkolla shqipe janë të shumta. Ato lidhen me sigurimin e fondeve të mjaftueshme e të domosdoshme, me konkurrencën me sistemin shkollor amerikan, me vështirësitë në sigurimin e mësuesve të kualifikuar dhe materialeve mësimore cilësore në gjuhën shqipe, apo dhe me motivimin e prindërve dhe nxënësve për të vijuar mësimin në mënyrë të rregullt”.

Presidenti Begaj në Filadelfia, vlerëson kontributin e diasporës

Presidenti i Republikës u zotua se do bëjë gjithçka në mbështetje të këtij misioni fisnik.

Gjatë qëndrimit në Filadelfia (Philadelphia), Presidenti i Republikës vizitoi edhe Kishën Ortodokse të Shën Gjergjit, një nga kishat më të hershme ortodokse shqiptare në SHBA, si dhe shtypshkronjën e parë shqiptare, që administrohet nga gratë sipërmarrëse.

Presidenti Begaj në Filadelfia, vlerëson kontributin e diasporës