TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Prej 6 ditësh qarkullimi drejt juglindjes është i pamundur si pasojë e degradimit të aksit rrugor Librazhd-Prrenjas. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) përmes një njoftimi zyrtar teksa shprehen se po vijojnë punimet për heqjen e dherave në rrugën ekzistuese, theksojnë se ka nisur puna për sistemimin e rrjedhës së lumit Shkumbin.
Autoriteti njofton se sa i përket aksit të ri në ndërtim pas përfundimit të studimit gjeologjik do të bëhet ripunimi i projektit për aksin e ri rrugor Elbasan–Librazhd–Qafë Thanë, pjesë e Korridorit të VIII.
"Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur punën me intensitet të lartë në disa fronte, me synim zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës së krijuar. Aktualisht po punohet për heqjen e masave të dherave në të dy anët e rrugës ekzistuese, me qëllim hapjen e terrenit ku do të vendosen sondat për realizimin e studimit të detajuar gjeologjik dhe për vlerësimin teknik të zonës pas rrëshqitjes.
Paralelisht, me një mobilizim të shtuar të mjeteve të rënda, kanë nisur punimet për sistemimin e rrjedhës së lumit Shkumbin. Rrjedha po orientohet në krahun e majtë, për të krijuar hapësirën e nevojshme për ndërtimin e një rruge alternative përgjatë linjës hekurudhore.
Pas përfundimit të studimit gjeologjik, do të kryhet ripunimi i projektit të zbatimit për aksin e ri rrugor Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë. Autoriteti Rrugor Shqiptar do të vijojë të informojë në kohë reale mbi ecurinë e punimeve dhe masat e mëtejshme që do të ndërmerren", thuhet në njoftim.
Një ditë më parë u demontua dhe ura në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës” për shkak të daljes jashtë funksioni. Ndërkohë shkak për shembjen e rrugës është bërë erozioni i vazhdueshëm në zonë. Dyshohet se kjo mund të jetë pasojë e gërryerjeve masive që kompani private të pajisura me leje nga shteti kanë bërë në basenin e lumit të Shkumbinit për ndërtimin e segmentit të ri Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII.
ARRSH ka marrë si vendim ndërtimin e një rruge provizore rreth 1.3 kilometra buzë Shkumbinit me qëllim zgjidhjen provizore të qarkullimit, por nuk ka një afat se kur do të hapet.