TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Më pak të huaj kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë këtë janar. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT në muajin e parë të vitit 2026 kanë hyrë në vendin tonë 552 mijë shtetas të huaj, duke shënuar një rënie prej 1.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Ekspertët vërejnë se kjo është hera e parë që hyrjet e turistëve shënojnë rënie në muajin janar që nga periudha e pandemisë. Pas vitit 2022, vendi u kthye në një destinacion të preferuar turistik, duke zgjatur sezonin përtej muajve të verës, me rritje të vizitave në qytete si Tirana, Berati, Gjirokastra dhe Korça. Në janar 2025 hyrjet e të huajve u rritën me 14.5%, ndërsa në 2024 zgjerimi ishte gati 30%.
Sipas aktorëve të tregut, ndikim negativ ka pasur moti i keq i janarit. Tendenca e ngadalësimit kishte nisur që në vitin 2025, kur hyrjet e të huajve u rritën me vetëm 6.6%, niveli më i ulët që nga pandemia.
Ndërkohë, ndryshe nga të huajt, daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit u rritën me 3.3%.
Të dhënat zyrtare tregojnë se përgjatë muajit janar 2026 në territorin shqiptar hynë gjithsej 1,196,550 shtetas shqiptarë dhe të huaj . Nga ana tjetër, dolën 1,343,073 persona, me një rënie prej 1.3%.
Sipas INSTAT, 98% e hyrjeve të të huajve janë për qëllime personale. Pjesa më e madhe e vizitorëve vijnë nga Evropa Jugore, që përbën 88% të hyrjeve nga Evropa, e ndjekur nga Evropa Perëndimore me 6%.