AKTUALITET, 13 Janar 2023, 16:12

Policët “shënjestër” të tritolit! Shpërthimi tek banesa e shefit të krimeve në Shkodër, si u largua autori

Policët “shënjestër” të tritolit!

Banesa e shefit të krimeve në Policinë e Shkodrës ishte shënjestër e një sulmi me lëndë plasëse. Shpërthimi ka qenë i fortë sa ka shkatërruar jo vetëm një pjesë të murit rrethues të ndërtesës, por automjetet aty pranë dhe dritaret e vilës trekatëshe.

Fatmirësisht, nga shpërthimi në banesën e Pëllumb Shpatit, nuk ka shkaktuar të lënduar në njerëz. Ngjarja është regjistruar rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm kur të gjithë familjarë ishin në gjumë. Babai i oficerit të krimeve e lidh ngjarjen me detyrën e të birit, duke përjashtuar mundësinë e konflikteve.

Policia përmes kamerave të sigurisë të një objekti aty afër ka arritur të zbulojë se si një person vjen në këmbë dhe vendos sasinë e tritolit në hyrjen e oborrit të banesës së shefit të krimeve.

Për shkak të errësirës, policia nuk e ka identifikuar dot këtë person. Pasi vendos tritolin, autori i dyshuar largohet në këmbë për disa metra dhe më pas hipën në një automjet duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

Pëllumb Shpati ka deklaruar se nuk ka ndonjë konflikt apo kërcënim gjatë kësaj kohe dhe se e ka të paqartë se cilat janë arsyet e këtij sulmi me lëndë eksplozive. Ndërkohë mësohet se dy vëllezërit e Pëllumb Shpatit, njëri është polic burgu dhe tjetri pjesë e ushtrisë si nënoficer.

Në banesa nuk ka kamera sigurie, ç’ka e vështirëson punën e hetuesve për të zbardhur ngjarjen. Ky është shpërthimi i dytë me tritol në harkun e dy javës.

Më 30 dhjetor, u sulmua me lëndë shpërthyese banesa e efektivit Valter Serra në fshatin Bardhaj të Shkodrës. Nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale, ndërsa policia nuk e ka zbardhur ende ngjarjen.

Edhe dy raste të tjera shpërthimesh në banesat e punonjësve të policisë u regjistruan në Shkodër gjatë vitit të shkuar./Panorama/