AKTUALITET, 3 Korrik 2026, 18:17

"Po kërkojnë armiq aty ku nuk ka"/ Ambasada ruse reagon pas deklaratës së Ballës: Qeveria të ketë kujdes me deklaratat

"Po kërkojnë armiq aty ku nuk ka"/ Ambasada ruse reagon pas

Ambasada ruse në Shqipëri ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit Blendi Gonxhja dhe Kreut të Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, të cilët kanë deklaruar se pas protestave qendron Kremlini. Me anë të një njoftimi zyrtar, Ambasada ruse thekson se këto deklarata janë krejtësisht të pabaza.

Ambasada shpreheht më tej se kjo nuk është hera e parë që politikanët shqiptarë janë përpjekur t’i imponojnë publikut vendas në mënyrë të pabazë idenë e të ashtuquajturit “ndikim dashakeq” të Rusisë.

"Deklaratat e Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë B.Gonxhja dhe Deputetit të Parlamentit të Shqipërisë, Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë T.Balla në lidhje me “përfshirjen e Kremlinit” në protestat, që po zhvillohen në vend, ngjallin habi. Pretendime të ngjashme po shohim edhe në një numër mediash nga gazetarë të caktuar.

Këto deklarata janë krejtësisht të pabaza.

Rusia zbaton me rreptësi njërin prej parimeve themelore të politikës së saj të jashtme: parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të huaja. Moska gjithmonë respekton zgjedhjen e popullit dhe punon me qeverinë e zgjedhur në mënyrë legjitime. Ne i urojmë sukses dhe begati popullit shqiptar, pavarësisht koniunkturës së krijuar politike dhe nivelit aktual të marrëdhënieve.

Me keqardhje vërejmë se kjo nuk është hera e parë që politikanët shqiptarë janë përpjekur t’i imponojnë publikut vendas në mënyrë të pabazë idenë e të ashtuquajturit “ndikim dashakeq” të Rusisë. Ne bëjmë thirrje për një qasje më të përgjegjshme ndaj deklaratave të tilla dhe një përmbajtje nga kërkimi i armiqve aty, ku nuk ekzistojnë", thuhet në deklaratë.