AKTUALITET, 1 Tetor 2023, 21:25

Plani për eliminimin nga banda e Laert Haxhiut, vetëm 10 nga 17 prokurorë kanë shoqërues

Plani për eliminimin nga banda e Laert Haxhiut, vetëm 10 nga 17
Laert Haxhiu dhe SPAK (fotomontazh)

Dëshmitë dhe hetimet e fundit ndaj bandës së Laert Haxhiut kanë risjellë në vëmendje rrezikun që u kanoset prokurorëve të SPAK, por jo vetëm, nga grupet kriminale që nuk e njohin frikën ndaj shtetit.

Ata që zyrtarisht përfaqësojnë shtetin, prokurorët dhe në rastin e fundit ata të SPAK janë vënë në shënjestër të krimit që me sa duket nuk kursen as familjet e tyre.

Prokurorja e SPAK Doloreza Musabelliu e cila ka në dorë çështjen e Laert Haxhiut ishte nën vëzhgim nga banda e tij, gjë e cila u mësua pas dëshmisë së Artan Tafanit, anëtar i kësaj bande.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se për shkak të kësaj çështjeje janë marrë masa shtesë mbrojtëse për Musabelliun.

Sipas saj, shoqërues kanë vetëm 10 prokurorë të SPAK, teksa pjesa tjetër nga 17 gjithsej, janë pa mbrojtje as personale dhe as për familjet e tyre.
Po kështu për ish-drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme nuk parashikohet mbrojtje dhe as për familjen e kreut aktual të SPAK.

Dëshmia e Artan Tafanit

Dëshmia e Artan Tafanit, i penduar tashmë i drejtësisë ka arritur të zbardhë dhe atentatin që po planifikohej nga prokurores së SPAK Doloreza Musabelli, sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë së Elbasanit.

Tafani, pjesë e bandës së Laert Haxhiut ka deklaruar se po thurej plani për ‘të hequr qafe’ Musabelliun si dhe prokurorin e Lushnjës Adriatik Doga dhe avokaten Merita Selimi.

“I kemi ndjekur. Laerti ka dashur të sulmojë Doloreza Musabelli, pasi ishte prokurorja e çështjes së tij në SPAK. Kjo prokurore kishte dënuar me burgim të përjetshëm shokun e Laertit Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin. I kemi mbajtur nën vëzhgim dhe familjet e tyre. Laerti, pretendonte se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se kjo prokurore po i bënte gropën. Atij ju fiksua që ta vriste prokuroren ose ndonjë njeri të afërm të familjes.
I kemi bërë foto prokurores, burrit avokat dhe fëmijëve. Laerti tha se fotot e fëmijëve duhet më parë t’ia nisnim burrit të prokurores për të parë se çfarë ndikimi dhe reagimi do sillte”, ka deklaruar i penduari Tafani.