AKTUALITET, 9 Gusht 2025, 10:58

Pesë raste dhune në familje gjatë 24 orëve në Tiranë, arrestohen autorët

Pesë raste dhune në familje gjatë 24 orëve në

Policia e Tiranës ka raportuar një seri ngjarjesh të rënda brenda një dite, ku pesë prej tyre lidhen me dhunë në familje. Në pranga kanë rënë tre burra në Tiranë dhe një në Krujë për dhunë ndaj bashkëshortes, ndërsa një 39-vjeçar u arrestua pasi goditi vajzën e tij të mitur dhe një tjetër 34-vjeçar për dhunë ndaj nënës dhe dëmtimin e makinës së vëllait.

Ndërkohë, një 20-vjeçar u kap me kanabis, ndërsa babë e bir në zonën e “Karl Topia” u vunë nën hetim për kontrabandë mallrash dhe mosbindje ndaj policisë.

Në disa raste të tjera, dy të rinj goditën një 25-vjeçar pas një konflikti, një 51-vjeçar procedohet për zënie të hapësirës publike në rrugën “Sokrat Miho”, ndërsa një 39-vjeçar kallëzoi se u sulmua nga persona të paidentifikuar në rrugën “Sitki Çiço”.

Po ashtu, një punëtor mobilerie u dëmtua lehtë nga pakujdesia gjatë punës. Të gjitha materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.