AKTUALITET, 13 Qershor 2024, 13:32

Përse u vra Ilirjan Minaj? Gruaja dhe vajza e shqiptarit rrëzojnë pretendimet e italianit

Përse u vra Ilirjan Minaj? Gruaja dhe vajza e shqiptarit rrëzojnë
Në foto autori Riccardo Stefani dhe viktima Ilirjan Minaj

Gruaja dhe vajza e shqiptarit Ilirjan Minaj kanë dhënë një tjetër version për vrasjen e 61-vjeçarit, detaje që e bëjnë edhe më tronditëse ngjarjen e që rëndojnë më tej pozicionin e vrasësit italian.

41-vjeçari Riccardo Stefani pretendon se e vrau shqiptarin në vetëmbrojtje, pasi ishte 61-vjeçari ai që e sulmoi i pari. Në këtë moment, italiani thotë se u fut në shtëpi për t’u mbrojtur. Teksa Minaj, sipas versionit të vrasësit, godiste me forcë derën, aq sa e çau në mes, ai mori thikën. Nuk e hapi derën, por e goditi përtej saj.

Por i gjithë ky version hidhet poshtë nga vajza dhe bashkëshortja e viktimës.

“Nëna e Stefanit kishte mbyllur derën e shtëpisë duke e lënë jashtë të birin. Dera nuk u thye nga im atë, por nga Stefani që hyri me forcë për të marrë thikën”, deklaroi e bija e viktimës, G.Minaj.

Shkak për ngjarjen, sipas Stefanit, u ishin bërë shakatë e mëparshme që kishin pasur mes njëri-tjetrin. Por edhe ky pretendim mohohet nga familja e shqiptarit.

“Nuk ka pasur asnjëherë shaka. Dhe atë natë, nga ana e Stefanit nuk pati asnjë lloj vetëmbrojtjeje të ligjshme”, shtojnë ato.

Ilirjan Minaj u vra nga italiani mbrëmjen e së premtes në Bibbiano të Reggio Emilia. Ngjarja e rëndë ndodhi në pallatin ku jetonte autori dhe mbesa e Minajt. 61-vjeçari i cili jetonte prej 20 vitesh në Itali, kishte shkuar pikërisht për të takuar mbesën e tij, kur nëpër shkallë u rastis me Stefanin.

Shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë mbeten ende për t’u sqaruar, mbi të gjitha për shkak të dy versioneve që japin tashmë palët.

Ndërkohë, pritet po ashtu që të bëhen publike edhe rezultatet e autopsisë mbi trupin e shqiptarit.

Riccardo Stefani ishte konsumues i drogës e alkoolit dhe kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor. Ai po ashtu ishte denoncuar më shumë se njëherë për dhunë nga e ëma./Tv Klan