AKTUALITET, 17 Korrik 2025, 11:10

Përplasja/ Prokuroria e Lezhës kërkon pushimin e hetimeve për 4 HEC-et në Kaçinar, banorët në protestë: Jo dorë të zezë mbi Mirditën e bardhë

Përplasja/ Prokuroria e Lezhës kërkon pushimin e hetimeve

Prokuroria e Lezhës kërkon për herë të dytë pushimin e hetimeve në lidhje me koncesionin për ndërtimin e 4 hidrocentraleve të vegjël në Kaçinar të Mirditës, i cili kundërshtohet prej 7 vitesh nga banorët e zonës.

Sipas organit të akuzës, pushimi i hetimeve është kërkuar pasi ndryshe nga kallëzimi i banorëve, nuk janë konstatuar elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Kërkesa për pushimin e hetimeve i është paraqitur gjykatës dhe po shqyrtohet nga gjyqtarja Iva Caca, por vendimi i prokurorisë është pritur me zemërim nga banorët e zonës. Sot, ata kanë dalë në protestë para prokurorisë.

Me pankarta në duar, banorët shprehen se po iu grabisin ujin që iu ka dhuruar Zoti.

“Zoti na e dhuroi ujin e ju doni me na e grabitur”, “Jo dorë të zezë mbi Mirditën e bardhë”, “Uji është jeta jonë, mos na thani shpirtin”, “Uji asht jetë mos na e thani shpirtin. Na detyroni që të vetësakrifikohemi”, janë disa nga pankartat që mbajnë në duar banorët në protestë.