AKTUALITET, 26 Qershor 2026, 19:09

Përkujtohet gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë në Parlament, deputeti i PS, Bido: Kujtesa, kusht për marrëdhënie të ndershme me Greqinë

Përkujtohet gjenocidi ndaj shqiptarëve të

Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka marrë pjesë në aktivitetin përkujtimor me rastin e 82-vjetorit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, ku bëri thirrje për ruajtjen e kujtesës historike dhe njohjen e së vërtetës për ngjarjet e vitit 1944.

Në fjalën e tij, Bido theksoi se përkujtimi i viktimave nuk synon të ushqejë urrejtje apo të hapë plagë mes popujve, por të mos lejojë që padrejtësitë e së kaluarës të harrohen.

“Një popull që harron viktimat e veta, rrezikon të humbasë dinjitetin e tij”, u shpreh deputeti i PS-së.

Bido kujtoi se në verën e vitit 1944 mijëra shqiptarë të Çamërisë u vranë, u masakruan dhe u dëbuan nga trojet e tyre, duke theksuar se çështja çame nuk është vetëm një çështje e shqiptarëve të Çamërisë, por një çështje mbarëkombëtare.

Sipas tij, çështja çame duhet të trajtohet si një çështje e të drejtave të njeriut, e së drejtës së pronës, e të drejtave etnike dhe e kujtesës historike.

Deputeti nënvizoi se Shqipëria dhe Greqia janë vende aleate dhe fqinje, por theksoi se marrëdhëniet e mira ndërtohen mbi sinqeritetin dhe respektin reciprok.

Ai bëri thirrje që historia e shqiptarëve të Çamërisë t’u mësohet brezave të rinj jo për të nxitur urrejtje, por për të ruajtur të vërtetën historike dhe kujtesën kombëtare.

FJALA E PLOTE

E nderuar zonja kryesuese, të nderuar kolegë deputetë, i nderuar kryetar i Shoqatës Çamëria, të nderuar përfaqësues të komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë, zonja dhe zotërinj, Ka ngjarje historike që nuk plaken kurrë. Nuk plaken, sepse nuk janë vetëm histori. Janë plagë. Janë kujtesë. Janë ndërgjegje. Sot ne jemi mbledhur për të përkujtuar 82-vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Nuk jemi këtu për të ushqyer urrejtje. Nuk jemi këtu për të hapur plagë mes popujve. Jemi këtu për të mos lejuar që një padrejtësi të varroset bashkë me viktimat e saj. Një popull që harron viktimat e veta, rrezikon të humbasë dinjitetin e tij. Në verën e vitit 1944, mijëra shqiptarë të Çamërisë u vranë, u dëbuan, u masakruan dhe u detyruan të linin pas shtëpitë, tokat, varret e të parëve dhe gjithë jetën e ndërtuar ndër breza, që kur njeriu shkeli në atë tokë. Mes tyre kishte burra dhe gra, kishte fëmijë dhe pleq. Kishte njerëz që nuk kishin bërë asnjë krim tjetër përveçse kishin lindur shqiptarë në trojet e tyre. Prandaj çështja çame nuk është çështja vetëm e shqiptarëve të Çamërisë, është çështja e ne labëve, e ne shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi. Është çështja e të gjithëve, sepse kushdo që lindi shqiptar dhe i rastisi në ato troje në atë vit, do të pësonte të njëjtin fat. Dhimbja e tyre nuk mbaroi me ikjen. Ajo vazhdoi me mohimin. Sepse padrejtësia bëhet edhe më e rëndë kur viktimës i mohohet e drejta për të treguar historinë e vet. Prandaj sot ne nuk flasim për atë që ndodhi. Flasim për detyrimin tonë për ta kujtuar. Çështja çame nuk është një çështje kundër Greqisë. Është një çështje e të drejtave të njeriut. Është një çështje e së drejtës së pronës. Është një çështje e të drejtave etnike. Është një çështje e kujtesës historike. Është një çështje dinjiteti. Në Europën që ndërtohet mbi të vërtetën, mbi pajtimin dhe mbi respektin për viktimat, nuk mund të ketë paqe të plotë pa njohjen e së vërtetës historike. Asnjë komb nuk e humbet dinjitetin duke pranuar gabimet e së kaluarës. Përkundrazi, fiton respekt. Historia europiane na e ka treguar këtë. Pajtimi mes popujve nuk u ndërtua mbi harresën. E kundërta, u ndërtua mbi pranimin e së vërtetës. Shqipëria dhe Greqia janë dy vende aleate në NATO. Janë vende fqinje. Do të jenë vende aleate në Bashkimin Europian. Kanë interesa të përbashkëta dhe duhet të ndërtojnë marrëdhënie gjithnjë e më të mira. Pikërisht për këtë arsye, çështjet e hapura nuk mund të fshihen nën qilim. Sepse miqësia e vërtetë nuk ndërtohet mbi heshtjen. Ndërtohet mbi sinqeritetin. Ndërtohet mbi respektin reciprok dhe ndërtohet mbi guximin për të parë historinë në sy. Prandaj, kujtesa për Çamërinë nuk është pengesë për marrëdhëniet shqiptaro-greke.

Është një kusht, një parakusht, që ato të jenë më të forta, më të ndershme dhe më të qëndrueshme. Si përfaqësues i Partisë Socialiste, ndihem krenar që Edi Rama dhe Partia Socialiste e kanë ngritur këtë çështje me autoritetet greke, jo vetëm në nivelin e përfaqësimit shtetëror, duke qenë forca e parë që e përfshiu çështjen çame në programin qeverisës, por edhe duke e ngritur sy më sy, aty ku duhet, në Athinë. Ne kemi sot edhe një detyrë tjetër. T’ua mësojmë këtë histori të gjithë brezave që vijnë. Jo për t’i edukuar me urrejtje. Por për t’i edukuar me të vërtetën. Sepse vetëm popujt që njohin historinë e tyre mund të ndërtojnë të ardhmen me besim. Çamëria nuk është vetëm një territor. Është pjesë e historisë sonë. Është pjesë e kulturës sonë. Është pjesë e kujtesës sonë kombëtare. Këngët, vallet, traditat, dialekti dhe kultura çame janë pjesë e identitetit shqiptar dhe e pasurojnë mozaikun tonë kombëtar, aq sa pa to Shqipëria do të ishte e paplotë.

Siç thotë shprehja: “Pa Kosovë dhe Çamëri, nuk ka Shqipëri”. Sot dua t’u drejtohem veçanërisht shqiptarëve të Çamërisë dhe pasardhësve të tyre. Dhimbja juaj është pjesë e kujtesës sonë kombëtare, përtej çdo krahine. Historia juaj është një histori mbarëkombëtare shqiptare. Kujtesa juaj nuk është vetëm e familjeve tuaja. Është një përgjegjësi e Republikës së Shqipërisë. Është një përgjegjësi e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Është një përgjegjësi e çdo institucioni publik. Sepse shteti nuk ka vetëm detyrimin që të ndërtojë të ardhmen, ka detyrimin edhe të mbajë gjallë kujtesën. Në këtë sallë, ku përfaqësohet sovraniteti i popullit shqiptar, ne kemi detyrimin moral që çdo vit ta përsërisim këtë mesazh: Viktimat nuk harrohen. Historia nuk fshihet. Dinjiteti nuk negociohet. Ne nuk kërkojmë hakmarrje. Ne kërkojmë kujtesë. Ne nuk kërkojmë armiqësi. Ne kërkojmë drejtësi. Ne nuk kërkojmë të ndryshojmë historinë. Ne kërkojmë që historia të mos mohohet dhe çështjet e historisë të zgjidhen. Le të jetë ky përvjetor një thirrje për më shumë studim, për më shumë dokumentim, për më shumë dialog dhe për më shumë kurajë për t’u përballur me të kaluarën, si zgjidhje për të ardhmen. Sepse popujt që përballen me historinë e tyre ndërtojnë një të ardhme më të fortë. Ata që e mohojnë atë, mbeten peng i historisë. Lavdi kujtimit të të gjithë viktimave të pafajshme të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tyre. Dhe qoftë gjithmonë e gjallë përgjegjësia jonë për të mbrojtur një të vërtetë historike, për të mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe për të mbrojtur vlerat mbi të cilat Europa, ku ne aspirojmë të hyjmë, ndërtohet, që janë kujtesë dhe zgjidhje.