AKTUALITET, 24 Tetor 2024, 22:49

"Pensionistët kanë futur në panik Ramën, ka lëshuar Erion Velinë që..."/ Qori: Protestojmë sërish javën tjetër!

"Pensionistët kanë futur në panik Ramën, ka

Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, foli për protestën e pensionistëve, të organizuar nga partia që ai drejton. 

Qori tha se protesta do të vijojë javën tjetër, duke shtuar se kryeministri Rama ka nxjerrë përfaqësues të PS, të flasin me pensionistë sepse "është futur në panik". 

"Ndodhi ajo që nuk kishte ndodhur ndonjëherë, 400-500 pensionistë dhe mbështetës të Lëvizja Bashkë, ngritën zërin dhe bënë atë që njerëz të tjerë në moshë më vitale nuk e kanë bërë.  Dolën protestuan, qanë hallet. 

Zoti Rama del 3-4 herë në ditë dhe justifikohet për çështjen e pensioneve. Një herë në vit fliste ai për pensionet, kur jepte atë bonusin e vitit të ri. Tani del përditë, ka lëshuar gjithë ministrat rrugëve dhe kapin pensionistët. Rama ka 11 vite në pushtet dhe nuk ka bërë asgjë përpos që ka indeksuar. Shqipëria ka nivelin më të ulët të pensioneve në Evropë. Nuk ka vend ku pensionisti është më i varfër se në Shqipëri.

Institucionet që kanë për detyrë të mbledhin sigurimet i ka nën kontroll zoti Rama. Ka patur për detyrë të bëjë të zbatueshëm ligjin. 56% e njerëzve që punojnë në Shqipëri, punojnë në të zezë. Në Serbi është 20%. Kjo është përgjegjësi e zotit Rama.

Ai nuk mund të kujtohet kur pensionistët e mbërthejnë me shpatulla pas murit për të treguar legjenda.

Sipas KLSH, vidhen dhe shpërdorohen çdo vit 1 miliardë euro. Këto do të mjaftonin për ta vendosur pensionin në minimumin jetik, 200 mijë lek të vjetra. Jemi më keq edhe se Kosova, që nga pikëpamja e parametrave makroekonomik, është më dobët. Vjedh kryeministri, ministrat, oligarkët.

Pensionistët ia dolën të arrijnë atë që shumëkush nuk kishte arritur, ta vënë në panik qeverinë. Edi Rama ka 4-5 ditë që ka angazhuar çdo njeri, edhe Veliajn, për t'u justifikuar pse Shqipëria është në këtë derexhe kur vjen punë te pensionet. Pensionistët janë shumë të revoltuar.

Do ta përsërisim si protestë javën tjetër dhe nuk do të ndalemi", tha Qori.