TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Përfaqësuesit fetarë komentuan në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” thirrjen që të deklarohet besimi fetar gjatë Censit për numërimin e popullsisë dhe të banesave që ka nisur të hënën.
Përfaqësuesi i Ungjillorëve në Shqipërisë, Paulin Vilajeti, duke folur për pretendimet e besimeve të ndryshme fetare për ndjekësit e tyre deklaroi se në të gjithë Shqipërinë janë praktikantë 4-5 përqind e popullsisë.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Taulant Bica u shpreh se, sipas censit të fundit të vitit 2011, rezulton që është rreth 56 për qind e popullsisë ishte e besimit islam, por, sipas tij, censusi nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë për KMSH-në.
Ndërsa zëdhënësi i Kishës Katolike, Mark Pashkja u shpreh se nuk kërkojnë sa më shumë besimtarë, por cilësisht, që të krishterët katolikë të jenë besimtarë të angazhuar, jo automatikisht praktikantë.
Paulin Vilajeti: “Ka ardhur koha që çdo praktikant në Shqipëri duhet ta shprehë besimin e tij haptas dhe pa frikë. Në censusin e fundit ka qenë një problem shumë i madh që po e hasim edhe tani, dje kanë qenë te shtëpia e ime dhe te e jotja. Gjejnë një person në shtëpi dhe ai jep për të gjithë familjen. Mund të shkojë te shtëpia e babait tim dhe ai mund ta deklarojë si të dojë. Ky është një census që nuk është serioz.
Mendimi im bujar, duke futur të gjitha besimet, mendoj se në të gjithë Shqipërinë janë praktikantë 4-5 përqind e popullsisë. Nëse në kishën time ku unë jam pastor më vijnë njerëzit vetëm për kreshmë dhe pashkë, unë nuk i quaj praktikantë. Unë quaj praktikant një njeri që është i dedikuar ndaj kishës”.
Taulant Bica, nënkryetar i komunitetit Mysliman: “Sipas censit të fundit të vitit 2011, rezulton që është rreth 56 për qind. Censusi nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë për ne. Nëse institucioneve shtetërore u nevojiten këto të dhëna ne e shikojmë të nevojshme të marrim pjesë pa problem, mjafton të jetë i mirëorganizuar, transparent”.
Mark Pashkja, zëdhënës i Kishës Katolike: “Thirrja jonë konsiston jo në një dimension fushate dhe numrash, se jemi të vetëdijshëm ashtu si dhe komunitetet e tjera për numrat që ekzistojnë, dhe besimi hyn te gjërat identitare të njeriut. Në predikimet tona ne nuk kërkojmë sa më shumë besimtarë, por cilësisht, që të krishterët katolikë të jenë besimtarë të angazhuar, jo automatikisht praktikantë”.