AKTUALITET, 13 Dhjetor 2023, 17:54

Pas sqarimit të pazakontë, drejtoria e Tatimeve përfshihet në debat me deputetin Erjon Braçe: Idiotë të padobishëm

Pas sqarimit të pazakontë, drejtoria e Tatimeve përfshihet

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri një sqarim publik të pazakontë të mërkurën për deklaratat e deputetit socialist Erjon Braçe, në lidhje me gjobat që administrata e Tatimeve ka vendosur mbi tregtarët e fruta-perimeve.

Nëpërmjet një statusi në faqen zyrtare në facebook, Tatimet i quajnë “fyese” dhe të “pasakta” deklaratat e deputeti, i cili po ashtu në Facebook deklaronte se kjo agjenci kishte ndërmarrë masa në kufinjtë e “grabitjes”.

Braçe pretendonte në një video në faqen e tij të martën se ishte lajmëruar nga tregëtarët se një agjenci ligjzbatuese kishte shkuar për kontroll në tregun e fruta perimeve pas disa apeleve të tij publike për abuzimin me çmimet e fruta-perimeve.

“Një pjesë e tregtarëve, të njoftuar, kanë mbyllur qepenat, makinat etj, një pjesë, ata qe se zgjidhin dot me ta, janë kapur në kushte paligjshmërie”- thotë Braçe, duke pretenduar se agjentët tatimorë u kanë thënë tregëtarëve se “nuk kemi ç'bëjmë, ka dhënë urdhër Braçja, prej tij e keni”.

Duke i cilësuar zyrtarët e tatimeve “idiotët e padobishëm të shtetit”, deputeti socialist sqaron publikun se se ai nuk ka tagër të urdhërojë askënd dhe se qëllimi i denoncimit të tij nuk ishte gjoba, por kërkimi i faturës tatimore në blerje nga bujku e  në shitje nga tregtari.

“Fatura dhe kuponi në çdo blerje e shitje, me çmime transparente, jo te rreme, deri ne 31 dhjetor eshte emergjence, e keni edhe detyrim ligjor”- thotë ndër të tjera Braçe në videon e tij.

Në përgjigjen e tyre Tatimet thonë se ata kanë kryer një procedurë standarde në kontrollin e tregut në kuadër të muajit dhjetor me shtimin ne qarkullimit të mallrave për shkak të festave.

Sa për faturat tatimore, sipas kësaj drejtorie, bizneset e vogla janë me 0 Tatim Fitimi dhe 0 TVSH dhe mungesa e faturës nuk luan rol në uljen e çmimeve.

“Lëshimi apo jo i faturës tatimore, edhe pse është shkelje ligjore, nuk do të ndryshojë në asnjë mënyrë çmimet, sikurse pretendohet, pasi çmimet përcaktohen nga ofertë-kërkesa si në çdo ekonomi të liberalizuar”- thuhet në reagimin e DPT.

Ndërsa gjykimet e deputetit i quajnë “mungesë respekti ndaj Administratës Tatimore” që përdhosin punën e saj./BIRN