TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sali Berisha mori pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar të EPP, ku diskutoi për një raport të Komitetit për Barazi dhe Mosdiskriminim në Këshillin e Evropës lidhur me terapitë konvertuese. Raporti kërkonte ndalimin e praktikave që synojnë të ndryshojnë me dhunë orientimin e personave LGBT, por Berisha e kishte kuptuar krejt ndryshe, duke menduar se raporti kërkon ndalimin e kthimit të njerëzve në LGBT, praktikë të cilën ai e denoncon sikur po e kryen me sukses Edi Rama në kopshtet dhe shkollat e Shqipërisë.
Megjithatë, kryetari i PD-së, edhe jashtë sallës, kur po xhironte një video në korridor për të përmbledhur fjalën e tij, i ka shtuar denoncimit për Edi Ramën edhe një denoncim për Kamala Harris drejtpërdrejt nga Strasburgu, të cilën e akuzon se kërkonte t'i kthente emigrantët në transgjinorë.
"Berisha nga Strasburgu:
Po manipulojnë fëmijët për të dyshuar në identitetin e tyre
Zoti President, unë kam disa mendime për këtë çështje. Unë e konsideroj këtë tendencë, konsideroj terapinë konvertuese, si një nga agresionet më të shëmtuara ndaj qënieve njerëzore, identitetit njerëzor dhe familjes.
Këtu nuk ka asgjë personale. Zoti President kjo është një ideologji post-marksiste, është agresion post-marksist që përdoret sot, nga ata që dikur predikonin shkatërrimin e pronës private, kurse tashmë ata kanë vënë në epiqendër të sulmeve të tyre, luftën kundër identitetit privat, identitetit njerëzor, identitetit gjinor.
Terapia konvertuese është çnjerëzore, është kundër natyrës dhe identitetit njerëzor
Shqipëria sot është një model i shëmtuar në këtë drejtim, sepse Shqipëria , kërkoj ndjesë, por është një lloj kopshti apo republike e George Soros. Ajo që po ndodh sot në kopshtet tona, në arsimin fillor, në tekstet e tyre dhe materialet vizuale është manipulim, për t’i bërë fëmijët të dyshojnë nëse janë vajzë apo janë djalë? Të mos dëgjojnë familjen, por as mësuesit e përfshirë në këtë proces. Kjo është fatkeqësi.
Fatkeqësisht, kjo shoqërohet edhe me një ligj që hapi derën për vendosjen e një diktature të re ideologjike, për një censurë të re dhe që asgjësoi prezumimin e pafajësisë.
Zoti President, ne po jetojmë në një kohë kur axhenda jonë diktohet nga ekstremi i majtë, dhe dua të theksoj se qëndrimi im nuk ka absolutisht asgjë me kundërshtitë për orientimin seksual. Jo, asgjë. Unë jam respektues dhe do të respektoj gjithmonë zgjedhjet e gjithësecilit.
Por mbani mend, mos harroni kurrë: Kamala Harris, gjatë fushatës saj elektorale për presidente të SHBA, deklaronte se kushdo prej emigrantëve të paligjshëm që vjen në SHBA për të ndryshuar gjininë, unë do t’ia paguaj nga shteti ato. Kjo është një nxitje për njerëzit nga të gjitha vendet, të largohen prej vendeve tyre dhe të hyjnë në SHBA për të ndryshuar identitetin dhe gjininë e tyre.
Kjo është plotësisht ideologji e majtë ekstreme dhe jam i trishtuar që ata po arrijnë ta diktojnë axhendën e tyre, sepse janë shumë të fuqishëm në institucionet ndërkombëtare dhe në shoqërinë civile.
Por mendoj se, duhet ta refuzojmë këtë ide. Jo sepse nuk jemi për të drejtat e njeriut, ne jemi plotësisht dhe të përkushtuar ndaj tyre dhe ndaj respektimit, por sepse nuk duhet të manipulojmë fëmijët për qëllime ideologjike. Kjo është çnjerëzore.
Faleminderit